Të tjera denoncime ndaj ish-banorit të Big Brother
Një seri denoncimesh të reja kanë dalë në dritë ndaj Elton Tozajt, ish-banor i “Big Brother Albania”, i cili akuzohet se ka mashtruar biznese dhe qytetarë në disa qytete të vendit duke u prezantuar si person me lidhje të brendshme në televizionin Top Channel.
Sipas dëshmive dhe dokumenteve të siguruara, Tozaj dyshohet se ka përdorur emrin e televizionit për të bindur viktimat se kishte fituar tendera për pajisje elektronike dhe se kishte njohje me drejtues të lartë. Në këtë mënyrë ai u kërkonte bizneseve dhe individëve telefona apo para, duke premtuar pagesa të shpejta sapo të përfundonin procedurat e pretenduara.
Në disa biseda të siguruara nga emisioni investigativ “Fiks Fare”, ai pretendon se kishte fituar një tender për telefona dhe se kërkonte mostra për drejtuesit e televizionit. Pretendime që rezultojnë të pavërteta, pasi nuk ka ekzistuar asnjë procedurë e tillë dhe asnjë lidhje zyrtare me institucionin që përmendej prej tij.
Një nga rastet e dokumentuara është ai në Korçë, ku një biznes i shitjes së telefonave pretendon se i ka dorëzuar tre aparate “iPhone 17 Pro Max”, me vlerë rreth 5.200 euro. Sipas pronarit, Tozaj kishte premtuar se do të mbante një telefon për vete dhe dy të tjerë do t’i merrnin drejtues të televizionit, duke garantuar pagesën brenda pak ditësh. Megjithatë, pavarësisht premtimeve të përsëritura, asnjë shumë nuk është kthyer.
Pronari i biznesit deklaron se është kryer kallëzim në Policinë e Korçës dhe se gjatë ballafaqimit, Tozaj nuk e ka mohuar detyrimin financiar. Ai ka firmosur një deklaratë se do ta shlyejë shumën, por pagesa nuk është kryer ende. Çështja, sipas tij, ka mbetur pa zgjidhje për shkak të procedurave të zvarritura dhe ndryshimeve në organin e akuzës.
Ndërkohë, ekziston edhe një vendim i Gjykatës së Shkallës së Parë në Korçë i datës 7 prill 2025, ku Elton Tozaj është dënuar me 6 muaj burg për mashtrim në një rast tjetër. Në atë episod, ai kishte marrë pajisje elektronike dhe para duke pretenduar se kishte ndikim në institucione shtetërore dhe akses në tendera publikë. Edhe pas vendimit gjyqësor, sipas palës së dëmtuar, detyrimet financiare nuk janë shlyer.
Një denoncim tjetër vjen nga një qytetare, e cila pohon se fillimisht ka paguar 430 euro për një produkt dobësimi të reklamuar prej tij në rrjetet sociale, por nuk e ka marrë kurrë. Më pas, sipas saj, Tozaj e ka kontaktuar sërish duke pretenduar se kishte fituar një tender për telefona dhe i ka kërkuar dy aparate si mostra. Ajo thotë se i ka dorëzuar një “iPhone 16 Pro Max” dhe një “Samsung S25 Ultra”, me vlerë rreth 2.100 euro, por nuk ka marrë as pagesë dhe as kthim të pajisjeve.
Sipas dëshmive, ai ka përdorur shpesh premtime për pagesa të afërta, duke përmendur transferta bankare apo ndërhyrje familjarësh, por pa i realizuar ato. Deri më tani, disa nga rastet janë kallëzuar në polici, ndërsa qytetarët shprehen se presin veprime konkrete nga drejtësia.






