Eksperti i ekonomisë Fatos Çoçoli ka ngritur shqetësimin për cilësinë e qumështit pluhur që importohet në Shqipëri, duke paralajmëruar për rrezikun e mungesës së kontrollit mbi produktet që hyjnë në treg.
Gjatë një interviste televizive, ai u shpreh se në disa raste qumështi pluhur i destinuar për ushqimin e bagëtive, i importuar kryesisht nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut, mund të përfundojë në tregun e brendshëm si produkt për konsum njerëzor, madje edhe për fëmijë.
“Është qumështi pluhur për bagëtitë që të vjen në tryezë për ta pirë foshnja jote”, deklaroi ai, duke e cilësuar situatën alarmante për sigurinë ushqimore.
Sipas Çoçolit, problemi lidhet drejtpërdrejt me kontrollet e pamjaftueshme nga institucionet përgjegjëse dhe me mungesën e një sistemi të fortë monitorimi për produktet ushqimore që importohen dhe hidhen në treg.
Ai shtoi gjithashtu se rritja e çmimeve të produkteve ushqimore dhe të shportës bazë nuk shoqërohet gjithmonë me përmirësim të cilësisë, duke ngritur pikëpyetje mbi standardet dhe mbrojtjen e konsumatorit në vend.






