Gazetari Almer Toska ka paraqitur një kallëzim penal pranë Prokurorisë së Posaçme, ku në qendër të akuzave ndodhet zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Kallëzimi lidhet me problematikat serioze të konstatuara në tunelin e Murrizit, pjesë e Rrugës së Arbrit.
Sipas kallëzimit, përgjegjësia penale nuk kufizohet vetëm te ministrja Balluku, por përfshin edhe drejtues dhe zyrtarë të tjerë të strukturave përgjegjëse, të cilët dyshohet se kanë lejuar hapjen dhe përdorimin e tunelit pa përmbushur standardet ligjore dhe teknike.
“U hap në mars 2025 për qëllime politike dhe nuk u kolaudua nga ARRSH. Jeta e qytetarëve është e rrezikuar çdo ditë e më shumë, Nuk duhej të hapej e as të kryente funksion për mos kolaudim, Por Balluku dhe drejtorët e saj e hapën për qëllime elektorale.
“Gjoka konstruksion” që është një nga palët e kallëzuara, pra kemi kallëzuar Gentian Gjylin, Evis Berberin, Gjoka Konstruksion dhe Belinda Balluku si persona përgjegjës.
Kanë shpërdoruar detyrën kemi dhënë faktet e nevojshme. Klodian Braho dhe prokurorët do i shtojnë një akuzë tjetër Ballukut. Gjoka nuk ka eksperiencë për ndërtim tunelesh, por shkon dhe i ndërton, kjo është vepër penale.
Duke mos pasur eksperiencë, babai i jep të birit referencë dhe thotë mund ta ndërtojë edhe pse nuk ka eksperiencë.
Jma këtu për të ndjekur deri në fund këtë rast që paratë e shqiptarëve të mos ikin dëm dhe Balluku të hetohet për çdo abuzim me detyrën”, tha ai.
Pak kohë pas përfundimit të punimeve dhe vënies në shfrytëzim, tuneli i Murrizit ka shfaqur plasaritje dhe çarje të dukshme në strukturat e betonit, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka pranuar zyrtarisht se tuneli nuk ishte kolauduar, pavarësisht faktit se ai po përdorej çdo ditë nga qindra automjete dhe mijëra qytetarë.






