Prokuroria e Durrësit ka firmosur këtë të martë 33 masa sigurie në kuadër të hetimeve për çështjen e 102 kontejnerëve me mbetje, të cilat dyshohet se janë trajtuar dhe administruar në kundërshtim me ligjin.

Sipas burimeve, 26 prej masave të vendosura janë “arrest me burg”, ndërsa 7 të tjera janë “arrest shtëpie”, të miratuara nga Gjykata kompetente.

Mes personave ndaj të cilëve është vendosur masa e arrestit në shtëpi është edhe Arta Dollani, aktualisht drejtoreshë e Agjencisë së Arsimit Parauniversitar. Ajo akuzohet për shkelje të kryera gjatë periudhës kur ushtronte funksionin e drejtoreshës së Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.

Burime nga hetimi bëjnë me dije se procedimi penal ndaj Dollanit lidhet me vendimmarrje dhe veprime administrative të dyshuara si të paligjshme në trajtimin e çështjeve mjedisore, në kohën kur institucionet përkatëse kanë qenë nën drejtimin e Mirela Kumbaros.

Hetimet për dosjen e 102 kontejnerëve vijojnë, ndërsa autoritetet nuk përjashtojnë zhvillime të reja dhe masa të tjera ligjore në ditët në vijim.