Ervin Kaftiraj është arrestuar nga Antidroga e Tiranës gjatë një operacioni të koduar “Cargo 1”. Lajmi raportohet nga Landi Cela i cili bën me dije se 45-vjeçari u prangos në një ambient parkimi në periferi të kryeqytetit, ku iu gjet mbi 1 kilogram kokainë.
Sipas burimeve policore, Kaftiraj ishte prej disa muajsh në përgjim dhe ndjekje nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve. Ai njihet si person që merret me makina luksoze me qira dhe mjete retro.
Njoftimi zyrtar i policisë
“Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, në kuadër të një procedimi penal të ndjekur me metoda proaktive, nën drejtimin e Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë finalizuar operacionin policor të koduar ‘Cargo 1’”, njofton policia.
Si rezultat i operacionit, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit E. K., 45 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë kontrollit në një parkim në afërsi të Rrethrrotullimit të Tegut, atij iu gjet një sasi lënde narkotike e dyshuar kokainë, e cila dyshohet se do të shitej në sasi në zona të ndryshme të Tiranës.
Më tej, gjatë kontrollit të banesës së tij, policia gjeti dhe sekuestroi 1 armë gjahu dhe 1 armë sportive, si edhe 1 motomjet dhe 1 aparat celular, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.






