Në këtë klimë paradoksesh institucionale vjen edhe zhvillimi i fundit në Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, një institucion jetik që prej vitesh endet mes krizës, dështimit dhe improvizimit. Pas ndryshimeve të shpeshta në krye të AKU-së, gjithçka tregon se institucioni do t’i besohet sërish një figure politike, jo një profili teknik apo profesional.

Sipas informacioneve të siguruara, në krye të AKU-së pritet të emërohet Blerina Gjylameti, ish-deputetja socialiste që këtë herë nuk arriti të rikthehej në Kuvend, duke humbur mandatin për vetëm 20 vota diferencë nga Olta Xhaçka. Tashmë, ajo pritet të marrë në dorë një nga përgjegjësitë më të ndjeshme për jetën e përditshme të qytetarëve: kontrollin, cilësinë dhe sigurinë e ushqimeve që konsumojnë shqiptarët.

Ironia është e hidhur. Pas më shumë se 13 vitesh qeverisje, siguria ushqimore shfaqet si emergjencë vetëm tani, në prag të negociatave me Bashkimin Europian. Dhe zgjidhja? Sërish politike. Sërish emërime që prodhojnë më shumë pikëpyetje sesa besim.

U kujtua vonë kryeministri Edi Rama për sigurinë ushqimore dhe “kontrollet me standarde europiane”. Fjalë të bukura, të konsumuara në podiume, përballë një realiteti brutal: në tregjet shqiptare qarkullojnë tonelata mish me salmonelë, produkte pranë skadencës apo të skaduara, ndërsa kontrollet shfaqen gjithmonë pasi ushqimi është ngrënë dhe dëmi është bërë.

Rama thotë se “ushqimet mund të bllokohen sepse nuk përmbushin kriteret e sigurisë” dhe se “nuk duhet falur askush”. Pyetja lind vetvetiu:

pse falen çdo ditë oligarkët e rrjeteve të supermarketeve?

Pse kriteret vlejnë vetëm në deklarata, por jo në praktikë?

Nëse standardet do të funksiononin realisht, bllokimi do të ndodhte para sëmundjeve, jo pas helmimeve. Para se produktet të mbërrijnë në tavolinë, jo pasi qytetarët të përfundojnë në urgjencë.

Europa nuk fitohet me retorikë për vitin 2030. Europa fitohet me kontrolle reale sot, me ndëshkim të të gjithë zinxhirit të abuzimit, nga importuesi te shitësi, dhe me përgjegjësi konkrete, jo me llogje për “gjithçka të importuar” apo me justifikime të lodhura.

Sepse siguria ushqimore në Shqipëri nuk është një skenar pesimist i së ardhmes.

Është një krizë e përditshme, që duhej të ishte detyrim jetik i shtetit prej vitesh

Je shumë vonë Pasha, as Blerina e as Dashnori i PD-së nuk e shpetojnë dot sigurinë ushqimore në këtë vend katrahurë.

Këtu e ka marrë ferra uratën me kohë.