Aventura e pafundme e qeverisë me Francesco Becchettin vijon të thithë miliona euro nga taksat e qytetarëve shqiptarë. Sipas Aktit Normativ të Buxhetit 2025, qeveria ka disbursuar 3 miliardë lekë rreth 31 milionë euro si injektim kapitali për Albcontrol, ndërmarrjen publike që menaxhon hapësirën ajrore të vendit.
Në dukje, ky injektim synon të lehtësojë “vështirësitë financiare” të Albcontrol, të krijuara nga bllokimi i llogarive nga biznesmeni italian Francesco Becchetti pas vendimit të arbitrazhit ndërkombëtar. Në realitet, megjithatë, bëhet fjalë për një pagesë të maskuar të dëmshpërblimit 130 milionë euro që Shqipëria është detyruar të paguajë pas humbjes në arbitrazh.
Edhe pse kryeministri Rama është zotuar publikisht se qytetarët nuk do të paguajnë “asnjë qindarkë” për Becchettin, faktet tregojnë të kundërtën: buxheti i shtetit po shlyen detyrimet përmes rrugëve alternative. Nga dhënia e kredive shtetërore deri tek transferat direkte kapitale, qeveria po injekton fonde për të mbuluar gropën financiare që la pas konflikti me biznesmenin italian.
Fillimisht, Albcontrol është mbajtur në këmbë me kredi të marra nga institucione të tjera shtetërore si Drejtoria e Shërbimeve të Transportit Rrugor dhe Korporata Shqiptare e Investimeve. Por tani, kreditë janë shndërruar në financim direkt nga buxheti, pra në para të dala drejt nga xhepat e qytetarëve shqiptarë.






