Gjykata Kushtetuese në shërbim të “qetësisë” së pushtetit, vendimi mes parimit dhe ish-Bllokut

Gjykata Kushtetuese ka vendosur të pezullojë vendimin e Gjykatës së Posaçme për pezullimin nga detyra të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke krijuar një situatë juridike që po cilësohet nga juristë dhe avokatë si paradoksale dhe problematike në raport me standardet e drejtësisë penale.

Sipas argumentimit ligjor, masa e pezullimit nga detyra është konceptuar si masë urgjente dhe parandaluese, me qëllim shmangien e ndikimit institucional të një zyrtari të lartë gjatë hetimit penal. Megjithatë, kjo masë është trajtuar nga Gjykata Kushtetuese me një ritëm që, sipas kritikëve, i ngjan më shumë shqyrtimit të një padie civile sesa një mase sigurimi personale apo institucionale.

Avokatë dhe njohës të së drejtës theksojnë se Gjykata Kushtetuese ka zvarritur për muaj të tërë shqyrtimin e çështjes, në kundërshtim me parimin e domosdoshmërisë dhe efektivitetit të drejtësisë. Kjo ndodh ndërkohë që legjislacioni parashikon se masa të tilla sigurimi duhet të shqyrtohen nga gjykatat e zakonshme brenda afateve të shkurtra, praktikisht brenda pak ditësh.

Sipas burimeve ligjore, ndërhyrja e Gjykatës Kushtetuese në këtë fazë procedurale shihet jo vetëm si një pengesë juridike, por edhe si një “luks kohor” që rrallë u ofrohet qytetarëve të zakonshëm. Ky standard i dyfishtë, sipas tyre, forcon perceptimin publik se urgjenca e drejtësisë funksionon ndryshe për pushtetin ekzekutiv dhe ndryshe për individët pa peshë politike.

Akuzat bëhen edhe më të rënda nga informacionet e bëra publike nga  avokat Arben Llangozi , sipas të cilit vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk është marrë në kushte të plota paanshmërie dhe integriteti institucional. Sipas këtij burimi, një prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dyshohet se e ka firmosur vendimin jo në ambientet zyrtare të institucionit dhe sipas procedurave të rregullta, por në zyrën e një oligarku-politikan në zonën e ish-Bllokut.

Nëse këto pretendime verifikohen, ato do të përbënin një nga goditjet më të rënda ndaj besimit publik te Gjykata Kushtetuese dhe parimi i ndarjes së pushteteve, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi pavarësinë reale të institucionit më të lartë kushtetues në vend.