Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka bërë të ditur zyrtarisht se nuk do të marrë pjesë në seancën plenare publike që zhvillohet ditën e sotme në Gjykatën Kushtetuese, e cila lidhet me kërkesën e paraqitur nga Kryeministri Edi Rama në çështjen që përfshin ministren Belinda Balluku.

Në qendër të shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese është zgjidhja e konfliktit të kompetencave të krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave, nga njëra anë, dhe GJKKO-së, nga ana tjetër, në lidhje me vendimin për pezullimin nga detyra të një anëtari të Këshillit të Ministrave.

Në njoftimin e saj, GJKKO sqaron se ka vendosur të mos jetë e pranishme në këtë proces, duke argumentuar se nuk mund të legjitimohet si palë në një gjykim kushtetues ku kërkues është Kryeministri i Republikës. Sipas qëndrimit zyrtar, në një shtet demokratik të së drejtës, të mbështetur në parimin e sundimit të ligjit dhe ndarjes së pushteteve, një gjykatë nuk mund të thirret dhe as të përfshihet si palë për të mbrojtur ose justifikuar një vendim të dhënë prej saj.

Gjykata thekson se një pjesëmarrje e tillë do të cenonte parimin e ndarjes së pushteteve, si dhe pavarësinë e brendshme të pushtetit gjyqësor. Për këtë arsye, GJKKO i ka përcjellë Gjykatës Kushtetuese qëndrimin e saj përmes shkresës zyrtare nr. 5560/1 Prot., datë 29 dhjetor 2025, ku janë argumentuar në mënyrë të detajuar arsyet ligjore pse nuk mund të konsiderohet palë në këtë proces.

Seanca plenare e Gjykatës Kushtetuese pritet të mbahet sot, mes një interesi të lartë publik dhe politik, për shkak të ndikimit institucional dhe kushtetues që pritet të ketë vendimmarrja.

Ndërkohë, çështja lidhet drejtpërdrejt me vendimin e GJKKO-së për pezullimin nga detyra të ministres Belinda Balluku, si dhe ndalimin e saj për të udhëtuar jashtë vendit, duke i bllokuar pasaportën. Ky vendim u mor pasi Balluku u mor zyrtarisht e pandehur për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera.

Sipas akuzës, Balluku dyshohet se ka manipuluar dy procedura tenderimi me vlerë rreth 210 milionë euro, në bashkëpunim me vartësit e saj më të afërt, Evis Berberi, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, duke favorizuar kompani të caktuara. Dosjes hetimore i janë shtuar edhe akuza për shkelje të barazisë në tendera në projektin e Unazës së Madhe.

Belinda Balluku u bë pjesë e kabinetit qeveritar të Edi Ramës në vitin 2019, në postin e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, një nga dikasteret më të rëndësishme të qeverisë, të cilin e ka drejtuar për më shumë se pesë vite.

NJOFTIMI I GJKKO

Nisur nga pyetjet e vazhdueshme nga ana e gazetarëve dhe interesi i lartë që ka në media dhe në publik seanca plenare publike që do të zhvillohet ditën e sotme në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë me:

Kërkues: Kryeministri i Republikës së Shqipërisë.

Subjekte të Interesuara: Presidenti i Republikës, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Objekti: “Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nga ana tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave…,

Ju informojmë se GJKKO nuk do të marrë pjesë në këtë seancë plenare pasi vlerëson se nuk mund të legjitimohet si palë në gjykimin kushtetues me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë.

Në një shtet demokratik të së drejtës, të bazuar në parimin e sundimit të ligjit dhe të ndarjes së pushteteve, një gjykatë nuk mund të thirret dhe as të legjitimohet si palë në një gjykim kushtetues për të bërë parashtrime apo për të mbrojtur një vendim të dhënë prej saj.

Pjesëmarrja e GJKKO-së si palë e interesuar në Gjykatën Kushtetuese do të cenonte parimin e ndarjes së pushteteve dhe pavarësinë e brendshme të pushtetit gjyqësor.

Bashkëlidhur gjeni të plotë shkresën nr. 5560/1 Prot., datë 29.12.2025, nëpërmjet së cilës GJKKO i ka kthyer përgjigje Gjykatës Kushtetuese, duke parashtruar arsyet ligjore për të cilat kjo gjykatë nuk mund të legjitimohet si palë në gjykimin kushtetues me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë.