Një sasi e konsiderueshme pajisjesh elektronike ka përfunduar në sitën e kontrollit doganor në Rinas, duke çuar në bllokimin e qindra produkteve të dyshuara për parregullsi ligjore.
Gjatë verifikimeve të kryera nga Dega Doganore në Rinas, u sekuestruan 920 pajisje elektronike të markave “Apple” dhe “Samsung”. Prej tyre, 510 rezultojnë të jenë telefona celularë të modeleve të ndryshme. Masa është marrë mbi dyshimet për cenim të të drejtave të pronësisë intelektuale.
Sipas njoftimit zyrtar, strukturat doganore po vijojnë procedurat e mëtejshme për të hetuar rastin dhe për të verifikuar dokumentacionin përkatës.
Në deklaratën e saj, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave nënvizon se është e angazhuar plotësisht për të parandaluar çdo shkelje të ligjit dhe për të goditur çdo tentativë abuzimi në importin dhe tregtimin e mallrave.






