ekonomia shqiptare zhvendoset drejt shërbimev

TIRANË – Ekonomia shqiptare po përjeton një zhvendosje të fortë strukturore, ndërsa dy sektorët kryesorë prodhues, bujqësia dhe industria, vijojnë rënien për disa vite radhazi, duke sinjalizuar një recesion të zgjatur pa shenja rikuperimi.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, viti 2025 ishte i pesti radhazi me tkurrje për bujqësinë, e cila shënoi një rënie prej 1.95%. Në të njëjtën linjë negative, industria regjistroi vitin e dytë me rënie, me një tkurrje prej 3.15%, ndërsa trendi vijon edhe në fillim të vitit 2026 për shkak të dobësimit të eksporteve.

Kjo ecuri tregon qartë një transformim të modelit ekonomik, ku pesha e sektorëve prodhues po bie, ndërsa ekonomia po mbështetet gjithnjë e më shumë tek shërbimet, veçanërisht turizmi. Ekspertët paralajmërojnë se ky orientim është i paqëndrueshëm, pasi ekonomitë e bazuara në shërbime janë të ndjeshme ndaj krizave të jashtme, siç u pa gjatë pandemisë së vitit 2020.

Ndryshe nga vendet si Spanja, Italia dhe Greqia, të cilat pas pandemisë ndërmorën reforma për të diversifikuar ekonominë, Shqipëria vijon të thellojë varësinë nga turizmi dhe ndërtimi.

Pavarësisht pritshmërive që turizmi të stimulonte prodhimin vendas, të dhënat tregojnë të kundërtën. Importet e produkteve ushqimore janë rritur ndjeshëm, duke treguar se rritja e konsumit po mbulohet nga tregjet e jashtme dhe jo nga prodhimi vendas.

Kriza në bujqësi lidhet drejtpërdrejt me rritjen e kostove të prodhimit, mungesën e subvencioneve dhe bllokimin e fondeve nga IPARD. Çmimet e larta të inputeve si plehrat kimike dhe karburanti kanë ulur fitimet e fermerëve, ndërsa emigrimi ka shkaktuar mungesë të theksuar të fuqisë punëtore, duke lënë sipërfaqe të mëdha toke të papunuara. Si rezultat, pesha e bujqësisë në ekonomi ka rënë nga rreth 20% para pandemisë në vetëm 15% në vitin 2024.

Edhe industria përballet me presione të forta. Industria nxjerrëse ndikohet nga luhatjet e tregjeve ndërkombëtare, ndërsa ajo përpunuese, veçanërisht fasoneria, po goditet nga zhvlerësimi i euros, që i bën eksportet shqiptare më pak konkurruese. Modeli ekonomik i bazuar tek krahu i lirë i punës po humbet avantazhin e tij.

Në të kundërt, ndërtimi dhe sektori publik po rriten ndjeshëm. Ndërtimi u zgjerua me 4.52%, ndërsa administrata publike dhe shëndetësia shënuan rritje dyshifrore prej 14.29% në vitin 2025. Kjo tregon një zhvendosje të kapitalit drejt pasurive të paluajtshme dhe shpenzimeve publike, duke krijuar një ekonomi që konsumon më shumë sesa prodhon.

Në këtë klimë, Shoqata e Eksportuesve pritet të zhvillojë një takim urgjent mbi krizën në industrinë e manifakturës së veshjeve dhe këpucëve. Sipas ProEksport, sektori ndodhet në një situatë dramatike, ndërsa institucionet kanë injoruar prej muajsh sinjalet e vazhdueshme të biznesit.