Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në Kuvend do të mblidhet më 23 shkurt për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Prokuroria e Posaçme i është drejtuar Kuvendit me kërkesë zyrtare për autorizimin e arrestimit të Ballukut, duke e futur çështjen në një fazë të re procedurale që tashmë kalon përmes filtrit parlamentar.
Mbledhja e Këshillit është njoftuar të nisë në orën 10:00 dhe pritet të shqyrtojë dokumentacionin e paraqitur nga SPAK, si dhe të vendosë mbi hapat e mëtejshëm për procedurën e heqjes së imunitetit.
Nëse Këshilli i hap rrugë kërkesës, çështja do t’i kalojë seancës plenare të Kuvendit, ku deputetët do të duhet të votojnë për autorizimin ose jo të arrestimit.
Zhvillimi pritet të shoqërohet me debat të fortë politik, pasi bëhet fjalë për një nga figurat më të rëndësishme të qeverisë dhe për një kërkesë të paprecedentë ndaj një anëtari të kabinetit në detyrë.






