Një denoncim i mbërritur në redaksinë e Publik.al ka ngritur shqetësime lidhur me kushtet dhe mbikëqyrjen e fëmijëve në një çerdhe në Tiranë. Sipas qytetarit që ka dërguar mesazhin dhe foton, në çerdhen nr. 8 një nga edukatoret është kapur duke fjetur gjatë orarit të punës, ndërsa fëmijët e vegjël ndodheshin në ambient pa mbikëqyrje.

Denoncuesi pretendon se bëhet fjalë për edukatoren me emrin Alda, e cila sipas tij fle gjumë ndërkohë që fëmijët qëndrojnë të vetëm në dhomë. Në foton e dërguar shihet ambienti i çerdhes, ku disa fëmijë janë të shtrirë në dysheme apo në shtretër të vegjël, ndërsa një person duket i shtrirë duke fjetur.

Sipas qytetarit, situata është shqetësuese pasi fëmijët në atë moshë kanë nevojë për mbikëqyrje të vazhdueshme dhe çdo neglizhencë mund të përbëjë rrezik për sigurinë e tyre.

“Edukatorët në çerdhen nr. 8 flenë gjumë dhe kalamajtë janë pa monitoruar. I besojmë fëmijët dhe kjo është papërgjegjshmëri e madhe”, shkruan denoncuesi në mesazhin e tij.

Nuk dihet nëse drejtuesit e institucionit apo autoritetet përkatëse janë vënë në dijeni për këtë situatë.

Shqetësime të tjera ngrihen edhe për kushtet në këtë institucion, duke e cilësuar situatën alarmante. Sipas tij, çerdhja ndodhet në qendër të Tiranës, në rrugën Myslym Shyri, por pavarësisht kësaj nuk plotëson as kushtet bazike.

“Situatë alarmante në qendër të Tiranës. Çerdhja nr.8 në rrugën Myslym Shyri. Goca na sëmuret çdo 10 ditë dhe merr antibiotik. As kushtet bazike nuk mundësohen”, shprehet denoncuesi.

Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga drejtuesit e institucionit apo nga autoritetet përgjegjëse. Mbetet për t’u parë nëse institucionet përkatëse do të verifikojnë pretendimet dhe do të marrin masa nëse këto akuza rezultojnë të vërteta.