Përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme, pas sulmeve të SHBA dhe Izraelit ndaj Iranit dhe kundërpërgjigjes së Teheranit, përfshirë mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, po godet tregjet globale të naftës dhe po rrit ndjeshëm çmimet e karburanteve.
Nafta Brent arriti deri në 120 dollarë për fuçi më 9 mars dhe që nga 13 marsi nuk ka zbritur nën 100 dollarë. Pas sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike në rajon, çmimi kaloi sërish mbi 108 dollarë. Ekspertët paralajmërojnë se, nëse bllokimi i Hormuzit vijon, çmimet mund të arrijnë 150 deri në 200 dollarë për fuçi.
Efektet po ndihen drejtpërdrejt në Ballkan. Që nga mesi i marsit 2026, Shqipëria ka çmimet më të larta në rajon, mbi 2.00 euro për litër. Serbia renditet gjithashtu mes vendeve të shtrenjta, ndërsa në Kosovë nafta varion nga 1.34–1.44 euro për litër. Ndërkohë, Bosnja dhe Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut mbeten më të lirat, me çmime rreth 1.03–1.15 euro.
Diferencat lidhen jo vetëm me tregun global, por edhe me taksat dhe akcizat e larta, që në Shqipëri ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e çmimit final.
Në rajon, Serbia ka ndërhyrë duke ndaluar eksportin e naftës deri më 2 prill dhe duke liruar 40 mijë ton nga rezervat, si dhe duke ulur akcizën me 20% për të frenuar rritjen. Në Shqipëri, është paralajmëruar ngritja e një Bordi Transparence për kontrollin e çmimeve, por pa masa konkrete deri tani.
Sipas analizave ndërkombëtare, mbyllja e zgjatur e Ngushticës së Hormuzit, nga ku kalon rreth 20% e furnizimit global të naftës, mund të çojë çmimet në nivele historike. Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëron se çdo rritje me 10% e çmimit të naftës rrit inflacionin global me 0.4% dhe ul rritjen ekonomike me 0.15%.






