Pas vendimit të KLGJ për mosshqyrtimin e çështjes Gjoka, kreu i PD flet për “shkelmim ligji” dhe “skllavëri ndaj regjimit”

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër pas daljes nga SPAK, ku u paraqit në zbatim të masës së sigurisë, duke komentuar vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor për të mos pranuar shqyrtimin e çështjes që lidhet me Irena Gjokën.

Sipas Berishës, vendimi u mor me 6 vota, nga Yllka Rupa, Ridvan Hado, Markelian Koça, Emona Muçi, Klodian Kurushi dhe kreu i KLGJ-së Ilir Rusi, të cilët ai i cilësoi si bashkëpërgjegjës në një akt të rëndë institucional.

“Këta janë më kriminelë se vetë Irena Gjoka. Janë turpi i zyrtarit, skllevër të këtij regjimi dhe të Edi Ramës”, deklaroi Berisha.

Ai pretendoi se Irena Gjoka, të cilën e quajti “me pesë mbiemra”, ka lidhje të afërta personale dhe profesionale me figura pranë pushtetit, duke përmendur edhe Lindën e Surrelit dhe Ergys Agasin.

“Janë të faktuara vizitat e saj. Ka rrezik që ndonjëri prej jush të ketë parë edhe videot në dosjen e Ergys Agasit, se si ajo hyn dhe del nga zyra mafioze”, u shpreh Berisha.

Kreu i PD-së e cilësoi vendimin e KLGJ-së si një shkelmim flagrant të ligjit, duke akuzuar institucionin se ka mohuar dokumente zyrtare, vula apostolike dhe prova ligjore.

“Të shkelmosh të gjitha këto dokumente do të thotë të mos kesh as minimumin e ndërgjegjes profesionale, ligjore dhe njerëzore. Do të thotë të jesh bashkautor në këto krime”, tha ai.

Berisha e mbylli deklaratën duke e quajtur këtë vendim një precedent të paprecedentë në historinë e drejtësisë shqiptare, duke theksuar se edhe në periudhat më problematike të KLGJ-së, sipas tij, një situatë e tillë nuk mund të imagjinohej.

“KLGJ me votat e Yllka Rupës, Ridvan Hados, Markelian Koça, Emona Muçi, Klodian Kurushi dhe kreut të tij Ilir Rusi me 6 vota vendosën mos pranimin e nisjes së procedurave për verifikimin dhe shpalljen e papajtueshmërisë së mandatit me famozen Irena Gjoka.

Këta janë me kriminelë se vetë Irena, këta janë turpi i zyrtarit. Janë skllevër të këtij regjimi dhe të Edi Ramës.

Sa për dijeni, Irena me 5 mbiemra është një shoqe në shpirt me Lindën e Surrelit, përveçse këshilltare e Gys Agasit.

E faktuar vizitat e saj.

Ka rrezik edhe ndonjëri prej jush këtu i ka parë videot në dosjen e Ergys Agasit se si serbezja hyn dhe del në zyrën mafioze të Agasit.

Por të votosh, të shkelmosh të gjithë këto dokumente, do të thotë të mos kesh as edhe minimumin e ndërgjegjes profesionale, ndërgjegjes ligjore, do të thotë të mos kesh dinjitet njerëzor.

Të poshtërosh veten duke mohuar vulat apostolike, duke mohuar formularët zyrtarë të këtij shteti, do të thotë je bashkautor në këto krime.

Kjo nuk ka ndodhur kurrë në histori, sado absolutisht të palavdishme të KLGJ-ve të kryesuara nga presidentët, se unë nuk i mbroj defektet që kanë pasur, por kurrë kjo nuk mund të imagjinohej. Nuk mund të imagjinohej të shkelmoheshin ligjet në këtë mënyrë”, tha Berisha.