Është publikuar fotoja e 30-vjeçarit Endri Goxhaj, i cili u qëllua për vdekje me armë zjarri mbrëmjen e sotme në Memaliaj, në një ngjarje që ka tronditur qytetin.
Sipas të dhënave paraprake, krimi ndodhi në qendër të qytetit pas një konflikti të çastit mes viktimës dhe shtetasit Donald Nela. Përplasja mes tyre ka degraduar në përdorimin e armës së zjarrit, duke i shkaktuar plagë fatale 30-vjeçarit.
Goxhaj nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë gjatë transportimit për në spital.
Gjatë incidentit mbeti i plagosur edhe Darjo Nela, vëllai i autorit të dyshuar, i cili aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po merr ndihmë mjekësore.
Pas ngjarjes, Donald Nela është larguar me automjet nga vendi i krimit, ndërsa forcat e Policisë janë vënë menjëherë në ndjekje të tij.
Në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë, të cilat nisën menjëherë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.
Në reagimin zyrtar, Policia bëri me dije se ngjarja ndodhi rreth orës 20:50 dhe konfirmoi se viktima humbi jetën rrugës për në spital, ndërsa një tjetër person mbeti i plagosur. Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë.






