Më 8 shkurt asnjë transfertë dhe asnjë deklarim në e-Albania

Një tjetër denoncim ka mbërritur në redaksinë e Publik Media nga punonjës të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, të cilët ankohen për vonesa të përsëritura në pagesat mujore.

Sipas mesazhit të ardhur në redaksi, deri më datë 8 shkurt, mjekët, infermierët dhe sanitarët nuk kanë marrë ende pagën e muajit janar. Jo vetëm kaq, por sipas tyre, paga nuk rezulton as e deklaruar në sistemin e-Albania, duke shtuar pasigurinë dhe shqetësimin mes stafit shëndetësor.

“Serish kemi vonesë të pagës së muajit janar. Sot është data 8 dhe akoma s’kemi marrë pagën. As është deklaruar në e-Albania. Vazhdojnë me vonesa, s’ju intereson fare”, thuhet në denoncimin e mbërritur në redaksi.

Kjo nuk është hera e parë që ngrihen shqetësime për vonesa në pagesat e personelit shëndetësor, ndërkohë që QSUT konsiderohet institucioni më i madh spitalor në vend. Vonesat e pagave prekin drejtpërdrejt qindra familje që mbështeten te të ardhurat mujore nga puna në sistemin publik shëndetësor.

Publik Media i bën thirrje drejtuesve të QSUT dhe Ministrisë së Shëndetësisë të sqarojnë publikisht arsyet e vonesës dhe të marrin masa për normalizimin e menjëhershëm të situatës.