Berisha: Shqiptarët e kanë paguar 300 milionë euro

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta ndaj kompanisë së ndërtimit 2T dhe institucioneve shtetërore, duke pretenduar se kjo kompani ka përfituar rreth 300 milionë euro nga fondet publike përmes projekteve të ndryshme infrastrukturore.

Në një deklaratë për mediat, Berisha u ndal veçanërisht te ndërtimi i një pallati që ai e cilësoi si “pallati në pajë” i bashkëshortes së kryeministrit, Linda Rama. Sipas tij, objekti është ndërtuar nga kompania 2T dhe, sipas pretendimeve të opozitës, nuk disponon dokumentacion të plotë financiar dhe ligjor.

Kreu i PD deklaroi se kompania në fjalë ka qenë e përfshirë edhe në projekte të mëdha publike, mes tyre ndërtimi i rrugës Qukës–Qafë Plloçë. Ai theksoi se kjo vepër infrastrukturore, e nisur në vitin 2009 me një fond fillestar rreth 73 milionë dollarë, përfundoi duke kushtuar shumëfish më tepër për taksapaguesit shqiptarë.

Berisha e cilësoi atë që ai e quan “mafia e Surrelit” si një strukturë që, sipas tij, dëmton financat publike përmes tenderëve dhe investimeve publike. Ai shtoi se qytetarët shqiptarë kanë paguar shuma të konsiderueshme për kompaninë ndërtuese që, sipas tij, ka realizuar edhe ndërtimin e pallatit në fjalë.

Gjithashtu, ai deklaroi se ndërtesa është ngritur në tokë që, sipas tij, i përket familjes Basha dhe se ndërtimi është kryer në kundërshtim me kushtet urbanistike. Berisha kujtoi se pas denoncimeve të bëra më herët nga opozita, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive kishte nisur verifikime për origjinën e pasurisë, por, sipas tij, procesi u ndërpre pas shkarkimit të ish-drejtoreshës së këtij institucioni.

Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga kompania e përmendur apo nga përfaqësues të qeverisë lidhur me këto akuza, ndërsa pritet në vijim nëse do të ketë qëndrime apo sqarime për deklaratat e bëra nga kreu i opozitës.

“Mafia e Surrelit është mafia më e rrezikshme në Europë. Është mafia që u kushton shqiptarëve në cdo punë publike, tender, qindra dhe miliarda euro. Sot unë kam zgjedhur të ndalem para qytetarëve se sa paguhen ata për pallatin në Pajë të Linda Ramës. Pallat për të cilin Linda Rama dhe bashkëshorti i saj kryehajduti i kombit Edi Rama nuk janë në gjendje të paraqesin qoftë edhe një faturë të vetme tatimore, doganore, ndërtimore, etj. Pra pallati në Pajë i ndërtuar në sheshin e pallateve në tokën e tyre, ka qenë tokë e familjes Basha, mbiemri i vajzërisë së zonjës. Ndërtuar në sheshin e pallateve në kundërshtim me kushtet urbanistike. Pallati nuk ka, zonja nuk paraqet dot edhe një faturë për pallatin 5 kate mbi tokë, nëntokë shkoni kontrollojeni sa ka. Ky superskandal u denoncua nga PD me dokumenta në atë kohë dhe kur kreu ose ILDKP filloi hetimin për origjinën e pallatit, origjina e tij pa asnjë faturë, Edi Rama shkarkon në mënyrë të rrufeshme zonjën Zana Xhuka, një nga zyrtaret më serioze, në mënyrë antikushtetuese e antiligjore e shkakron për të mbrojtur familjen dhe veten e tij nga pallati që ra si me parashutë i Linda Ramës, për të cilin ajo tha se ësht ëndërtuar me para gjaku. Nuk besoj se vëllai i saj në emigracion është marrë me drogë apo vrasje.

Tani, dëgjoni pak sa e paguan shqiptarët pallatin. Shqiptarët pallatin e paguan, sic thotë vetë shprehja, më shumë se frëngu pulën. Shqiptarët kompaninë që ndërtoi pallatin, kompaninë 2T të famozit Sako, vëllaut të komandantit të Gardës, kryetar bashkie në Tepelenë.

Ndërtuesi Sako në rrugën Qukes-Qafë Plloc arriti që të fryjë çmimet, fjala është në 320 mln, por në 430 mln euro. Në mënyrën më të pabesueshme. Për të kuptuar se sa u kushtoi shqiptarëve pallati në pajë i gjysmës më të mirë të Edi Ramës, zonjës Linda Rama, do ju jap vetëm shembullin e lotit 3 të kësaj rruge. Loti tre rezulton se ka një gjatësi 9.3 km. Loti tre nuk ka asnjë urë, dhe ka kushtuar saç ka kushtuar km në rrugën e Kombit, me dhjetëra ura, tunele siç e dini vetë dhe me gjerësi 27 m. Besoj se del shumë e qartë se çfarë hajdutesh janë këta. 9 km rrugë në gjerësi 10 m, kushton sa mesatarja e Rrugës së Kombit, me tunele dhe ura, kurse jo pa asnjë tunel dhe urë. Ndaj shemben ato si me qenë shpate kartoni, pasi nuk janë përforcuar. Sako, që mori qindra mln shpërblim për pallatin në pajë, për të cilin ai vetë ka paguar dhe jo zonja Rama, ka paguar dhe taksën e regjistrimit në hipotekë dhe e ka regjistruar në emër të tij, pallatin në pajë. Jo në emrin e familjes Basha, të familjes së saj. Ky person shpërblehet rreth 300 mln euro, që i ndan me Ramën për rrugën Qafë-Plloc. Ky person fiton dhe tenderin e mirëmbajtjes së kësaj rruge”, tha Berisha.