Në një deklaratë publike për mediat, zëdhënësja e Antikorrupsionit në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli, ka ngritur akuza të forta ndaj qeverisë Rama, duke përfshirë edhe emrin e Ergys Agasit, i shpallur në kërkim nga SPAK. Sipas saj, Agasi është i përfshirë në projektin e ndërtimit të një kompleksi në zonën e Eco-Parkut, ndërsa hyrja e tij në pronësi ka ndodhur pak kohë para përfitimit të një kontrate me vlerë 10 milionë euro.

Denoncimi

“Të nderuar qytetarë, sot po ju paraqesim një tjetër projekt ku ndërthuren emrat e Edi Ramës, Ergys Agasit, investitorëve arabë të Portit të Durrësit dhe zonës së Spitallës, aty ku ndodhet Eco Parku i shumëpërfolur”, deklaroi Vangjeli.

Sipas të dhënave të bëra publike, më 26 prill 2023 është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi mes Manchester City Football Club Ltd, Eagle Hills Properties LLC, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Bashkisë së Durrësit. Kjo marrëveshje parashikonte krijimin e një partneriteti sportiv, hapjen e një shkolle futbolli dhe ngritjen e një Akademie Elitë.

Në qershor të vitit 2023, është përgatitur edhe koncepti arkitekturor i kampusit të akademisë “Dyrrah City Football Academy”, i realizuar nga studioja ndërkombëtare “Marco Casamonti and Partners”.

Më pas, më 28 korrik 2023, me urdhër të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit nr. 422, u miratua krijimi i fondacionit “Dyrrah City Football Academy”, me objekt kryesor hapjen dhe administrimin e një akademie elitare futbolli në qytetin e Durrësit.

Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 580, datë 11 tetor 2023, i hapi rrugë vënies në dispozicion të pronave shtetërore me një sipërfaqe mbi 200 mijë metra katrorë, të ndodhura në zonën kadastrale nr. 8517 në Spitallë, për ndërtimin dhe zhvillimin e kompleksit të Akademisë së Futbollit të Durrësit.

Vëmendje!

Bëhet fjalë për të njëjtën zonë kadastrale nr. 8517, ku ndodhet edhe Eco Parku i njohur, projekt për të cilin janë shpenzuar rreth 19 milionë euro për mbylljen e vend-depozitimit të mbetjeve. Ky proces vijon të jetë nën hetim, pa një vendim përfundimtar deri më tani.

Më 29 tetor 2023, janë firmosur dy marrëveshje konsulence që lidhen me infrastrukturën, menaxhimin dhe programet sportive, me afat deri më 30 qershor 2028, ndërmjet fondacionit, Durrës Marina, City Football Services Limited dhe Manchester City Football Club Limited.

Më 2 shkurt 2024, fondacioni shpalli thirrjen për propozime për përzgjedhjen e subjektit që do të financonte ndërtimin e kompleksit, me një vlerë investimi prej 10 milionë euro dhe afat realizimi 24 muaj. Në këmbim, subjekti fitues do të përfitonte të drejta mbi lojtarët e akademisë për një periudhë 120-mujore.

Më 24 prill 2024, vetëm dy muaj më vonë, fondacioni shpalli fitues ofertën e vetme të paraqitur nga “Futboll Club Dinamo City” sh.a., një klub i themeluar në vitin 2021.

Sipas denoncimit, pak ditë përpara shpalljes së fituesit, në dokumentacion shfaqet emri i Ergys Agasit, i cili bëhet pjesë e strukturës së pronësisë së klubit.

Konkretisht, më 31 mars 2024, Agasi blen 30% të aksioneve të “Dinamo City”, kundrejt shumës prej 220 mijë eurosh.