“Unë kam në dorë dokumentet, ata dhunën!”

Konflikti për çështjen e pronësisë në zonën e Rrjollit ka degraduar në dhunë fizike, duke lënë të plagosur dy persona, të cilët janë transportuar me urgjencë në spital për ndihmë mjekësore.

Pronari i tokës, Fatmir Shpellzaj, ka reaguar publikisht pas ngjarjes, duke deklaruar se djali i tij dhe një mik i tij janë sulmuar fizikisht nga një grup personash, me të cilët ai është në konflikt prej kohësh për pronësinë e tokës në Rrjoll.

Sipas tij, incidenti ka ndodhur një ditë më parë në ambientet e një televizioni, ku ai kishte shkuar për të paraqitur qëndrimin e tij lidhur me çështjen e pronësisë së tokës. Shpellzaj pretendon se personat me të cilët është në konflikt kanë ndërtuar një histori të pavërtetë mbi pronësinë dhe, sipas tij, nuk disponojnë dokumente që të vërtetojnë pretendimet e tyre.

Ai thotë se djali i tij kishte shkuar në studio vetëm për ta shoqëruar, por është përfshirë në një përplasje fizike së bashku me një mik të tij, duke përfunduar të dy të plagosur rëndë. Sipas pretendimeve të Shpellzajt, të rinjtë kanë pësuar fraktura dhe janë dhunuar fizikisht nga një grup personash.

Fillimisht ata janë transportuar për ndihmë mjekësore në Spitalin Universitar “Nënë Tereza”, ndërsa më pas janë dërguar për trajtim më të specializuar në Spitalin e Traumës.

Në reagimin e tij, Shpellzaj pretendon gjithashtu se pas incidentit janë bërë edhe kërcënime ndaj avokates së tij, e cila sipas tij ka marrë telefonata kërcënuese.

Ai i ka bërë thirrje Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë që të ndërhyjnë për të hetuar ngjarjen dhe për të vendosur përgjegjësi ligjore për autorët e dhunës, duke theksuar se askush nuk duhet të marrë drejtësinë në duart e veta.

Reagimi i plotë:

Sapo dola nga Spitali i Traumës, ku për orë të tëra kam qëndruar pranë tim biri, i cili u masakrua brutalisht nga një tufë njerëzish që në vend të dokumenteve, kanë në dorë vetëm dhunën.

Ata që kanë dhunuar varret e familjes sime, dje dhunuan edhe djalin tim dhe kjo nuk është më një çështje prone.

Ngjarja ndodhi dje pasi zgjodha të shkoj për të mbrojtur të vërtetën time në emisionin Opinion përballë disa personave që prej kohësh kanë ngritur një histori të rreme mbi Rrjollin, duke manipuluar ndjeshmërinë e njerëzve dhe duke u paraqitur si pronarë apo trashëgimtarë të një toke për të cilën nuk kanë asnjë dokument.

Gjithmonë e kam ditur me kë kam të bëj dhe kam qenë i përgatitur për më të keqen, por ata po kalojnë çdo kufij ligjor, moral dhe njerëzor.

Në ambientet e televizionit Klan, ku unë isha për të mbrojtur të vërtetën time, ata sulmuan barbarisht djalin tim, i cili kishte ardhur vetëm për të më shoqëruar.

Gjithashtu, sulmuan fizikisht shokun e tij duke i shkaktuar fraktura të rënda të dyve.

Si një çetë e tërbuar nga fakti që dokumentet dhe ligji janë kundër tyre, e tërhoqën zvarrë dhe e dhunuan në mënyrën më të rëndë, deri sa përfunduam në spital, ku qëndruam deri në mëngjes, aq sa pas Spitalit Nënë Tereza na u desh të kalojmë për mjekim më të specializuar tek Trauma.

Gjithashtu, këta persona kanë kanosur avokaten time, zonjën e nderuar mbrojtëse e cila dje ka marrë telefonata kërcënuese nga më të rëndat.

I bëj thirrje urgjente Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë që të reagojnë menjëherë dhe të vendosin drejtësinë për këtë akt barbar, sepse askush nuk mund të marrë ligjin në duart e veta.

U kërkoj ndjesë qytetarëve për këtë situatë të rëndë që po krijohet rreth kësaj çështjeje.

Gjithashtu i kërkoj ndjesë kompanisë Gener 2, e cila iu afrua kësaj zone me një vizion zhvillimi dhe që sot po detyrohet të përballet me akte primitive që nuk kanë asnjë lidhje me qytetarinë.

Të dashur shqiptarë, unë kam vetëm një armë: Dokumentet dhe të vërtetën.