Një qytetar shqiptar që ndodhet jashtë vendit ka denoncuar pranë redaksisë sonë një problem serioz me sistemin e pagesës online të taksës vjetore të mjetit përmes portalit shtetëror e-Albania. Sipas tij, prej dy ditësh ka tentuar disa herë të kryejë pagesën, por sistemi nuk i lejon të plotësojë fushën e nevojshme dhe për rrjedhojë nuk mund të shkarkojë pullën përkatëse.

Ky problem teknik është bërë shkak për një situatë të padrejtë, pasi vonesa në kryerjen e pagesës përtej afatit dhjetëditor penalizohet me një gjobë prej 0.06% të shumës për çdo ditë vonesë. Kjo do të thotë që qytetarët jo vetëm që nuk mund të përmbushin një detyrim ligjor për shkak të mangësive të sistemit, por edhe përballen me penalitete financiare për diçka që nuk është faji i tyre.

Denoncuesi thekson se nuk ka asnjë zgjidhje alternative për kryerjen e kësaj pagese, përveçse duke u paraqitur fizikisht pranë institucioneve përkatëse në Shqipëri, gjë që për emigrantët dhe qytetarët që ndodhen jashtë vendit është e pamundur ose shumë e vështirë. Ai ngre shqetësimin se ky problem prek shumë persona që kanë makina të regjistruara në Shqipëri, por jetojnë dhe punojnë jashtë.

“Është e papranueshme që në vitin 2025 një shtet që promovon shërbimet online t’i lërë qytetarët pa mundësi për të kryer detyrimet e tyre. Përveç stresit të pagesës, tani duhet të përballem edhe me një penalitet të padrejtë, vetëm sepse sistemi nuk funksionon,” shprehet ai.

Më tej, qytetari vë në dukje se kjo problematikë vjen në një periudhë zgjedhjesh, duke lënë përshtypjen se fokusi i institucioneve është më shumë te grumbullimi i të ardhurave sesa te sigurimi i një shërbimi të rregullt dhe funksional për qytetarët. Ai apelon për një reagim urgjent nga institucionet përkatëse, si dhe për një sistem alternativ të besueshëm për ata që ndodhen jashtë Shqipërisë, në mënyrë që të mos penalizohen për shkak të problemeve teknike të administratës publike.