Një qytetar i është drejtuar redaksisë së Publik.al me një denoncim ndaj institucioneve shtetërore, pasi pretendon se është përballur me një situatë absurde gjatë procedurës për legalizimin e një ndërtimi informal.
Sipas denoncimit, i afërmi i tij aplikoi në platformën online e‑Albania për t’u pajisur me vërtetim për aplikim legalizimi të ndërtimit informal, dokument i cili i kërkohej nga ujësjellësi për të lidhur kontratën e furnizimit me ujë.
Qytetari thotë se ka kryer pagesën përkatëse për shërbimin, por në vend të dokumentit ka marrë një përgjigje zyrtare nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, ku thuhet se nuk mund të pajiset me vërtetimin e kërkuar pasi sektori i legalizimeve është në proces inventarizimi.
Në shkresën zyrtare të dërguar nga Drejtoria Vendore e ASHK-së Rurale 2 në Tiranë, thuhet se:
“Sektori i legalizimeve është në proces inventarizimi. Në bazë të ligjit nr.111, datë 20.12.2018 ‘Për Kadastrën’, nuk mund t’ju pajisim me vërtetimin e kërkuar deri në përfundim të procesit të inventarizimit.”
Dokumenti mban firmën e drejtorit Eni Sejdina.
Qytetari: Po na marrin tarifat pa na dhënë shërbimin
Denoncuesi ngre dy shqetësime kryesore.
Së pari, ai pyet pse institucioni merr tarifën e aplikimit për një shërbim që, sipas tij, nuk është në gjendje ta ofrojë për shkak të procesit të inventarizimit.
“Pse merret tarifa e vërtetimit kur institucioni e di që është në proces inventarizimi dhe nuk mund t’i pajisë qytetarët me dokumentin? Kjo është si të marrësh para për një shërbim që nuk e jep,” thuhet në denoncim.
Së dyti, qytetari thekson se kjo situatë e vendos në një rreth vicioz administrativ.
Sipas tij:
-
Ujësjellësi nuk lidh kontratë pa këtë vërtetim.
-
Kadastra nuk jep vërtetim deri sa të përfundojë inventarizimi.
-
Si pasojë, banesa e tij mbetet pa furnizim me ujë.
“Ujësjellësi nuk të furnizon pa kontratë dhe kontrata kërkon vërtetimin. Ndërsa Kadastra thotë prit inventarizimin. Po ndërkohë si do furnizohet shtëpia me ujë?” shprehet ai.
Problemi që prek shumë qytetarë
Procesi i inventarizimit dhe bashkimit të arkivave të ish-ALUIZNI-t me Kadastrën ka krijuar shpesh vonesa në trajtimin e dosjeve të legalizimit.
Qytetarët shpesh gjenden në situata të ngjashme, ku procedurat administrative të një institucioni bëhen pengesë për shërbime bazë si furnizimi me ujë apo energji.
“Pershendetje, nje i afermi im aplikoi per vertetim legalizimi ndertimi informal te e albania sepse i duhej patjeter per te bere kontraten e furnizimit me ujë nga ujësjellesi. Pagoi tarifen per pajisje me legalizim. I kthejne.pergjigje që kemi në proces inventarizimi dhe nuk mund tju pajisim me vertetim. 1. Pse e merr aluizni tarifen e vertetimit kur eshte ne proces inventarizimi dhe nuk i pajis dot qytetaret me vertetim. Kjo eshte vjedhje nga institucion shteteror ndaj qytetareve. 2. Ujësjellësi nëse ske kontrate nuk te furnizon me uje dhe une duhet te pres inventarizimin e kadastres kur te mbaroje qe te furnizoje shtepine time me ujë,” shkruan qytetari.








