Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka denoncuar projektligjin për portet turistike që është paraqitur për shqyrtim në Komisionin për Turizmin, të cilin ajo e drejton.
Në një prononcim për mediat, Zhupa deklaroi se projektligji mban firmën e deputetes së Partisë Socialiste, Zamira Sina, për të cilën ajo u shpreh se nuk është e vetëdijshme për përmbajtjen e ligjit që ka firmosur.
Sipas Zhupës, projektligji synon t’u japë portet turistike oligarkëve për interesa klienteliste të kryeministrit Edi Rama.
Ajo akuzoi gjithashtu shumicën socialiste se po përpiqet ta kalojë projektligjin pa transparencë dhe duke shmangur konsultimet publike.
“Ky projektligj vjen si një ndryshim i kërkuar nga një deputete e PS-së, Zamira Sina. Ajo nuk e ka idenë se çfarë përmban ligji, por është thjesht firmëtarja e një nisme të porositur nga qeveria në kujdes të Edi Ramës për interesa klienteliste. Kjo është një procedurë që ndjek qeveria për të shmangur konsultimet publike, duke i paraqitur ligjet si iniciativa të deputetëve. Ky ligj paraqet problematika të theksuara kushtetuese, ekonomike dhe të sigurisë kombëtare, pasi synon dhurimin e porteve turistike për klientët dhe oligarkët, që qeveria i quan investitorë strategjikë”, u shpreh Zhupa.






