ÇELËSI PËR TË RREGULLUAR SISTEMIN

Adrian Sulo

Konkurimi publik është ndoshta e vetmja temë që nuk e prek askush, madje as opozita dhe as media. Duket se të gjithë janë dakordësuar me idenë e funksionimit të partisë-shtet.

Ndoshta është edhe nga padija, por kam dyshime të arsyeshme që është një kompromis i heshtur mes palëve për të vazhduar avazin.

Të gjithë nëpunësit e administratës publike që gëzojnë statusin e nëpunësit civil duhet të rekrutohen përmes konkurrimit pranë këtij institucioni.

Dikush mund të mendojë se aty konkurrojnë vetëm specialistët e thjeshtë… jo… aty marrin emërimet drejtuesit më të lartë të administratës publike, përfshi drejtorë drejtorish, sekretarë të përgjithshëm të ministrive, drejtorë departamentesh e përgjegjës sektorësh.

Më thoni pak: a do të kishte kaq shumë drejtorë hajdutë nëse do të zgjidheshin me konkurrim publik? Pa dyshim që jo, sepse pikë së pari nuk do të ishin miq të ministrave. Së dyti, ai që lexon dy gërma nga ligjet ka edhe frikë nga ligji dhe, së treti, një profesionisti i intereson karriera dhe ka integritet.

Nëse e gjithë piramida e administratës do të zgjidhej përmes konkurrimit publik, askush nga administrata nuk do të përfshihej në fushatë zgjedhore… s’do të kishte pikë interesi.

Të vetmit që do të ishin aktivë në fushata do të ishin kandidatët për deputetë, të zgjedhurit vendorë, kandidatët për zv.ministra apo anëtarë kabinetesh. Kjo padyshim do ta shtensiononte procesin elektoral dhe do të garantonte zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Departamenti i Administratës Publike është institucion në varësi direkte të Kryeministrit të vendit. Ky institucion sot ka fytyrën e Edi Ramës dhe ndoshta është institucioni më i korruptuar në vend… por jo vetëm kaq… aty fillon dhe mbaron historia e korrupsionit galopant.

Më thoni dot nëse në vend të Frida Krifcës do të ishte një profesionist që ta kishte fituar atë vend pune, a do të kishim 43 milionë euro dëm nga fondet IPA?

DAP është “fabrika” ku prodhohen të gjithë “mamuthët” e korrupsionit.

Foto përbri i përket administratës së DAP-it, të cilët marrin rrogën kot… Po, po… gjithë ky kolektiv, shto edhe mungesat, e marrin rrogën kot, sepse emërimet janë të paracaktuara dhe vetëm formalisht konkurrentët kalojnë në DAP.

I gjithë personeli de facto rekrutohet nga drejtuesit e institucioneve dhe kjo është premisë për lulëzimin e korrupsionit.

Nuk janë të vetmit që paguhen kot. Edhe Komisioneri i Shërbimit Civil është një institucion që paguhet kot dhe, edhe pse ligjërisht figuron institucion i pavarur, është nën thundrën e kryeministrit.

Të njëjtën gjë mund të them edhe për Avokatin e Popullit… është një institucion inekzistent dhe në shërbim të pushtetit. Të gjithë bëjnë sikur punojnë, pa as më të voglën ndjeshmëri se paguhen nga taksat që paguajnë qytetarët.

Ne presim nga SPAK që të rregullojë sistemin. Padyshim që ka rol thelbësor, por SPAK nuk i ka kapacitetet të ndjekë mijëra hajdutë që prodhon “fabrika” e DAP-it. Një në 100 drejtorë të zgjedhur përmes konkurrimit publik mund të rezultojë hajdut… sot janë 100% të tillë.

A nuk ka forcë Kryeministri të rregullojë një institucion? Padyshim që ka, por s’ka vullnet. Më kollaj e ka të thotë “më hanë dardha pas shpine”.

Po opozita s’ka aq forcë?

Padyshim që ka, mendoj, por po pret radhën për të vjedhur dhe nuk i intereson të rregullohet sistemi. Ankohet për patronazhistët, por nuk kupton se burimin e ka aty, te Departamenti i Administratës Publike – DAP.

E vetmja shpresë mbetet media e shëndoshë dhe aktorët e rinj anti-establishment, të cilët duhet ta marrin si kauzë.

Më pas SPAK le të merret me ministra e kryeministra.