Berisha: Protestat nuk ndalen deri në largimin e Ramës, denoncon dhunën policore dhe bllokimin e drejtësisë
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, doli në një konferencë për mediat nga selia blu, ku komentoi protestën e opozitës të mbajtur një ditë më parë në Tiranë dhe akuzoi policinë për dhunë ndaj mbështetësve të PD-së.
I pyetur për incidentet gjatë tubimit, Berisha deklaroi se dhuna më e rëndë nuk qëndron vetëm te përplasjet fizike, por te ajo që ai e cilësoi si bllokim i drejtësisë dhe mosveprim ndaj zyrtarëve e personave të implikuar në afera korruptive.
Sipas tij, “dhunë e tmerrshme” është mosarrestimi i Linda Bashës, të cilën e përmendi si të implikuar në dosjen hetimore të SPAK për skandalet e AKSHI-t, si edhe lëvizja e lirë e Ergys Agasit, për të cilin tha se duhen hetuar edhe vizitat e pretenduara në Surrel.
“Për ne, dhunë e tmerrshme është mosarrestimi i Linda Bashës, e implikuar kokë e këmbë në aferën e AKSHI-t. Për ne, dhunë e tmerrshme është lëvizja e lirë e Ergys Agasit dhe thuhet edhe vizitat e tij në Surrel, për të cilat duhet të bëhet hetim,” deklaroi Berisha.
Në të njëjtën linjë, kreu i PD-së akuzoi mazhorancën për kapje të drejtësisë dhe për shkelje të Kushtetutës, duke përmendur edhe rastin e Olta Xhaçkës në Parlament, si dhe atë që ai e quajti bllokim të drejtësisë për arrestimin e Belinda Ballukut.
Berisha theksoi se opozita do të vijojë protestat pa ndërprerje deri në largimin e qeverisë, të cilën e quajti “organizatë kriminale” me në krye kryeministrin Edi Rama.
“Ajo do përfshijë të gjithë Shqipërinë dhe do jetë e pandërprerë gjer në largimin përfundimtar të kësaj organizate kriminale me në krye Edi Ramën,” u shpreh ai.
Duke iu referuar protestës së 22 marsit, Berisha tha se qytetarët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë “nderuan në mënyrën më madhështore, më solemne, më dinjitoze ditën e parë të demokracisë”, ndërsa e cilësoi tubimin si një shprehje të revoltës popullore kundër asaj që ai e quajti “narkodiktaturë” dhe “autokraci elektorale”.
Ai shtoi se beteja e opozitës “do të njohë vetëm ngjitje” dhe se do të mbetet në kuadër të kryengritjes paqësore, pavarësisht akuzave që ngriti ndaj policisë për përdorim të dhunës.
Sipas Berishës, gjatë protestës policia ka përdorur plumba gome dhe ka goditur protestues në kokë. Ai përmendi rastin e Denis Gremit, për të cilin tha se përfundoi në spital si pasojë e një goditjeje të rëndë në kokë.
Nga ana tjetër, Berisha hodhi akuza edhe për një inskenim të pretenduar nga qeveria lidhur me policë të dëmtuar, duke deklaruar se ata ishin dërguar në spital pa pasur plagë reale, me qëllim krijimin e një narrative të rreme mbi dhunën në protestë.
Megjithatë, ai këmbënguli se PD mbetet kundër protestave të dhunshme dhe se do të vazhdojë me strategjinë e saj të “kryengritjes paqësore”.
“Ne nuk bëjmë thirrje dhe jemi kundër protestave të dhunshme, ne jemi për kryengritjen paqësore,” deklaroi Berisha.






