Botuesi i përfshirë në aferë korruptive

Emri i Carlo Bollinos përmendet në përgjimet e dosjes që lidhet me ish-zyrtarë të qeverisë, ku sipas komunikimeve të zbardhura, ai dyshohet se ka përfituar shuma të konsiderueshme financiare nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH).

Lidhur me këto zhvillime, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, duke e cilësuar situatën si një “mafiozizim të mediave” dhe duke akuzuar drejtpërdrejt Carlo Bollinon për lidhje klienteliste me pushtetin.

Sipas Berishës, Bollino ka përfituar prona publike në qendër të Tiranës, ku sipas tij, toka e destinuar për ndërtimin e një gjimnazi është përdorur për ngritjen e zyrave private, përmes katër vendimeve të miratuara nga qeveria.

“Kjo përfaqëson një mafiozizim të tmerrshëm të mediave. Carlo Bollino, ky mafioz, shpif dhe trillon çdo ditë, ndërkohë që ka marrë toka në mes të Tiranës me katër vendime qeveritare për të ndërtuar zyrat e tij”, u shpreh Berisha.

Ai shtoi se në regjistrimet e zbardhura në dosje, përmenden edhe pagesa të kryera me këste, të cilat sipas tij, lidhen me shpifje dhe fushata mediatike në shërbim të qeverisë.

“Vetëm një nga këto regjistrime tregon pagesat që duheshin kryer për të shpifur, për të mashtruar opinionin publik dhe për të lavdëruar Edi Ramën”, deklaroi Berisha.

Në vijim, kreu i PD-së theksoi se përfitime edhe më të mëdha financiare nga fondet publike kanë shkuar edhe drejt mediave të tjera kombëtare.

“Shuma edhe më të mëdha kanë marrë media të mëdha televizive. Dhjetëra portale mbahen me paratë e grabitura nga taksapaguesit, për të shpëlarë fytyrën e ministrave të përfshirë në afera”, përfundoi Berisha.