RENIS TERSHANA/ Nga software tek avionët dhe anijet, përse i falën kompani fotovoltaikesh bosit të “Credins” dhe si lekët publike që merr nëpërmjet tenderave shkojnë për dashuriçka nëpër Londër.

Dosja “Renis Tërshana”: Kur paratë publike qarkullojnë në një rreth të mbyllur biznesesh

Redaksia e priza.al prej disa javësh ka në disponim një dosje voluminoze që lidhet me aktivitetin e dukshëm dhe të padukshëm të një prej personazheve më të rëndësishëm të botës së biznesit në Shqipëri.

Natyrisht, jo çdo informacion apo denoncim që mbërrin në redaksi publikohet në mënyrë bruto. Pas një procesi verifikimi dhe ballafaqimi të të dhënave, priza.al nis sot publikimin e dosjes “Renis Tërshana”.

Në qendër të kësaj dosjeje është Renis Tërshana, një individ që zotëron drejtpërdrejt ose tërthorazi mbi 15 kompani të regjistruara në Shqipëri, Itali, Gjermani, Angli dhe vende të tjera të Bashkimit Europian. Sensitiviteti i kësaj dosjeje shtohet nga fakti se bëhet fjalë për aksionerin mazhoritar të bankës Credins Bank.

Nga tenderat publikë te rrjetet ndërkombëtare

Hyrja e Renis Tërshanës në botën e biznesit lidhet me shoqërinë “R&T” sh.p.k.. Sipas të dhënave të siguruara nga priza.al, vetëm gjatë periudhës 2020–2025, kjo kompani ka përfituar mbi 7 miliardë lekë nga fondet publike, përmes tenderëve të ndryshëm shtetërorë.

Tërshana rezulton përfitues kontratash në sektorë kyç si:

  • shëndetësia
  • teknologjia
  • shërbimet publike

Paralelisht, përmes bankës ku është aksioner mazhoritar, janë evidentuar transferime miliona eurosh jashtë Shqipërisë, të cilat më pas shërbejnë për themelimin e kompanive të reja në vende të BE-së.

Burimi i këtyre fondeve mbetet i paqartë. Megjithatë, dokumentacioni i administruar nga priza.al sugjeron ekzistencën e një skeme të sofistikuar qarkullimi, ku paratë publike të fituara nga tenderat kalojnë nëpër një rrjet kompanish të lidhura me Renis Tërshanën dhe më pas “ri-shfaqen” si investime private në Itali, Gjermani dhe Angli, shpesh përmes personave të tretë (prestanome).

Dekoderët e TVSH-së dhe konflikti në RTSH

Një nga episodet më të bujshme lidhet me përpjekjen për përfitimin e 9.1 milionë eurove nga kontrata e dekoderëve të TVSH-së, çështje që u kthye në “mollë sherri” në Radio Televizionin Shqiptar. Institucioni publik u përfshi në një përplasje të ashpër, sikur të ishte duke mbrojtur interesa private dhe jo fondet e qytetarëve shqiptarë.

Por ky rast përbën vetëm një fragment të një liste të gjatë dyshimesh për:

  • abuzime me fondet publike
  • transferime financiare të dyshimta
  • investime të fshehura jashtë vendit
  • skema evazioni dhe humbjeje gjurmësh të përfituesve realë

Çfarë pritet në vijim?

Dosja “Renis Tërshana” është e gjerë dhe përmban jo vetëm hije dyshimi, por edhe dokumente dhe prova që tregojnë se si fondet publike kanë qarkulluar për të financuar interesa private dhe stile jetese luksoze.

Në vijim, priza.al do të publikojë:

  • Si përdoret banka ku Tërshana është aksioner mazhoritar si “bankomat personal”?
  • Si janë transferuar miliona euro përmes Credins drejt vendeve të tjera?
  • Çfarë fshihet pas kompanisë Smart City Corporation dhe rolit të shtetases italiane Giulia Agrosi

Një denoncim publik

Dosja “Renis Tërshana” nuk është thjesht material informues apo kuriozitet mediatik. Ajo përbën një denoncim publik, me shpresën që organet e drejtësisë të lexojnë, të hetojnë dhe të dokumentojnë:

  • mënyrën se si një bankë private dyshohet se është përdorur si mekanizëm pastrimi parash
  • rolin e fondeve publike në financimin e interesave private
  • dhe mënyrën se si pasuritë dhe investimet jashtë vendit ndërtohen mbi paratë e qytetarëve shqiptarë/priza.al