Banorët e dëmtuar nga tërmeti jetojnë në kushte të rrezikshme

Pesë vite pas tërmetit shkatërrues të vitit 2019, banorët e një pallati në rrugën “Hysen Myshketa” në Durrës vazhdojnë të jetojnë në kushte të rënda dhe të rrezikshme, për shkak të neglizhencës së zyrtarëve dhe ndalimit të punimeve të riparimit.

Pallati, i cili u dëmtua rëndë nga tërmeti, mbetet ende në gjendje të rrënuar, duke rrezikuar jetën e banorëve dhe të kalimtarëve që qarkullojnë pranë tij. Banorët e zonës shprehen se fondet e rindërtimit, të alokuara për riparimin e banesave të tyre, janë keqpërdorur nga zyrtarët përgjegjës. Ata denoncojnë abuzime të turpshme me taksat e qytetarëve, ndërsa vetë jetojnë në frikë dhe pasiguri.

“Kemi pesë vite që presim përfundimin e punimeve. Na premtuan që gjithçka do të rregullohej, por pallati ynë është lënë në mëshirë të fatit. Jetojmë në kushte skandaloze, dhe rreziku është i madh, jo vetëm për ne, por edhe për kalimtarët. Kjo është një vjedhje e hapur me fondet e rindërtimit,” – tha një nga banorët.

Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente nga Bashkia e Durrësit për të përfunduar projektin e rindërtimit dhe për të garantuar sigurinë e tyre. Ndërsa retorika e zyrtarëve flet për sukses në procesin e rindërtimit, realiteti në terren tregon një histori ndryshe, ku qindra familje, si kjo në lagjen 6 të Durrësit, përballen ende me pasojat e tërmetit dhe premtime të pambajtura.

Rasti i këtij pallati është një kujtesë e rëndë e mënyrës se si fondet publike mund të keqpërdoren, duke lënë qytetarët në mëshirë të rreziqeve dhe në varësi të premtimeve boshe. Në një situatë ku siguria dhe dinjiteti njerëzor janë vënë në pikëpyetje, banorët i bëjnë thirrje mediave dhe institucioneve të ndërgjegjësohen dhe të ndërhyjnë sa më shpejt.