Janë rikthyer sërish rrëshqitjet e dherave në zonën e Kodrës së Currilave në Durrës, duke bllokuar mëngjesin e sotëm aksin rrugor që lidh Currilën me Kallmin.
Si pasojë e reshjeve të dendura që kanë vijuar gjatë gjithë natës, një sasi e konsiderueshme dheu ka përfunduar mbi asfalt, duke e bërë të pamundur qarkullimin e automjeteve në segmentin malor mbi zonën e njohur si Ferrara.
Fenomeni i erozionit në këtë pjesë të qytetit duket se është bërë i përsëritur. Banorët e zonës raportojnë se sa herë ka reshje intensive, rruga përballet me rrëshqitje masive dherash, duke rrezikuar jo vetëm lëvizjen e mjeteve, por edhe sigurinë e banesave përreth.
Aksi Currila–Kallm është një nga rrugët më të frekuentuara gjatë sezonit turistik, pasi lidh qytetin me plazhin e Kallmit, ndërsa problematika e përsëritur ngre pikëpyetje mbi ndërhyrjet parandaluese dhe masat mbrojtëse kundër erozionit.
Deri në këto momente nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa pritet ndërhyrja e strukturave për pastrimin e rrugës dhe rikthimin e qarkullimit normal.






