Situata e përmbytjeve në Durrës vazhdon të mbetet kritike edhe një ditë pas reshjeve të dendura të shiut. Zona të tëra të qytetit janë ende nën ujë, ndërsa banorët përballen me mungesën totale të reagimit nga institucionet vendore.
Më të prekura nga përmbytjet janë rrugët dytësore në Durrësin e Ri, Shkozet, Gjykata e Apelit dhe pjesërisht Zona e Plazhit, ku uji ka depërtuar në banesa, biznese dhe ambiente publike. Gjatë natës, disa familje janë evakuuar dhe janë strehuar në Kavalishencë, por ende nuk ka një plan të qartë për të përballuar emergjencën në vijim.
Në fshatrat përreth, situata është edhe më dramatike. Rreth 40 hektarë tokë bujqësore janë nën ujë, duke dëmtuar prodhimet dhe duke rrezikuar ekonominë e fermerëve. Ndërkohë, lumenjtë Ishëm dhe Erzen kanë shënuar rritje të niveleve të ujit, duke rrezikuar përmbytje të mëdha nëse reshjet vijojnë.
Në Shkozet, kanalet kulluese kanë dalë nga shtrati, duke e bërë të pamundur qarkullimin normal të automjeteve. Banorët e zonës akuzojnë Bashkinë e Durrësit për papërgjegjshmëri totale, duke thënë se kjo situatë përsëritet sa herë bie shi, por askush nuk merr masa për pastrimin e kanaleve dhe përmirësimin e infrastrukturës së kullimit.
Pavarësisht paralajmërimeve nga meteorologët dhe përvojës së viteve të shkuara, autoritetet lokale nuk kanë marrë asnjë masë parandaluese, duke i lënë banorët të përballen të vetëm me këtë katastrofë. Situata në Durrës është një tjetër tregues i dështimit të institucioneve për të menaxhuar krizat dhe për të mbrojtur qytetarët nga fatkeqësitë natyrore.





