Një foshnjë vetëm dy muajshe ka ndërruar jetë në një spital në Tiranë, pasi ishte transportuar me urgjencë drejt kryeqytetit për trajtim më të specializuar për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.

Sipas informacioneve paraprake, e mitura u dërgua në spital në gjendje kritike dhe mjekët ndërhynë menjëherë për t’i dhënë ndihmën e nevojshme. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor dhe trajtimit të specializuar, foshnja nuk arriti të mbijetojë dhe ndërroi jetë disa orë pas mbërritjes në Tiranë.

Ndërkohë, rasti është marrë në shqyrtim nga autoritetet përkatëse. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Korçës, e cila do të vijojë me verifikimet për të përcaktuar rrethanat e sakta të ngjarjes.

Hetimet pritet të sqarojnë nëse vdekja e foshnjës mund të jetë shkaktuar nga kequshqyerja apo nga ndonjë problem tjetër shëndetësor që mund të ketë qenë i pranishëm që prej lindjes. Për këtë arsye, do të kryhen edhe ekspertizat e nevojshme mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun përfundimtar të humbjes së jetës së të miturës.