I jep burrit të Alketa Vejsiut leje për të ndërtuar resort 140.898 m²

Kryeministri Edi Rama ka firmosur një tjetër leje ndërtimi në favor të kompanisë “Orion”, e cila zotërohet nga Ardian Nelo, bashkëshorti i moderatores Alketa Vejsiu.

Vendimi vjen në një kohë kur opozita e ka akuzuar vazhdimisht këtë kompani për përfitime të dyshimta, që nga ndërtimi i një pallati të lidhur me familjen e Linda Ramës, e deri te tenderët shtetërorë dhe kontratat e dhëna nga qeveria.

Këtë herë, bëhet fjalë për një projekt me përmasa kolosale: ndërtimin e një super resorti turistik në zonën e Gjilekës, në Dhërmi, buzë detit Jon. Zona konsiderohet ndër më elitaret e rivierës shqiptare, por njëkohësisht edhe ndër më të dëmtuarat nga vala e betonizimit të viteve të fundit.

Sipas të dhënave zyrtare, kompania “Orion”, në pronësi të Ardian Nelos (97.20%) dhe Niazi Nelos (2.80%), do të zhvillojë aktivitetin në një sipërfaqe prej rreth 140 mijë metrash katrorë. Vetë përmasat e projektit ngrenë një sërë pikëpyetjesh: si u sigurua kjo sipërfaqe e madhe toke në një zonë bregdetare të njohur për konflikte pronësie dhe kush i zgjidhi këto problematika?

Por shqetësimi më i madh lidhet me natyrën e zhvillimit. Ashtu si në shumë projekte të tjera në bregdet, edhe ky kompleks parashikon ndërtimin e rezidencave private, vilave, apartamenteve, hoteleve, restoranteve dhe njësive tregtare, duke e kthyer zonën në një hapësirë të mbyllur për publikun dhe të aksesueshme vetëm për shtresat më të pasura. Dokumentet tregojnë se i gjithë territori prej 14 hektarësh do të shfrytëzohet intensivisht për ndërtime të shumta.

Faksimile: Vendimi i KKTU-së për miratimin e lejes së zhvillimit për kompleksin turistik në Dhërmi
Faksimile: Vendimi i KKTU-së për miratimin e lejes së zhvillimit për kompleksin turistik në Dhërmi

Vendimi për miratimin e lejes është marrë nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit më 25 shtator 2025, përmes rishikimit të kushteve të zhvillimit për objektin “kompleks turistik, rezidencial, hoteleri dhe shërbime”, me godina nga 1 deri në 3 kate mbi tokë dhe deri në 3 kate nëntokë, në zonën Perivolo–Gjilek, Dhërmi, Bashkia Himarë. Megjithëse vendimi është firmosur zyrtarisht më 31 dhjetor 2025, dokumentacioni është bërë publik vetëm ditët e fundit nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit.

Nga analiza e dokumenteve rezulton se projekti ka pësuar ndryshime të ndjeshme krahasuar me variantin fillestar të korrikut 2024. Janë shtuar objekte të reja, është rritur sipërfaqja e ndërtimit dhe zhvillimi do të realizohet në disa faza.

Faksimile: Prona e stërmadhe ndodhet në zonën e Dhërmiut, buzë detit Jon
Faksimile: Prona e stërmadhe ndodhet në zonën e Dhërmiut, buzë detit Jon

Sipas përshkrimit zyrtar, zona cilësohet si strategjike për zhvillimin turistik, me lidhje të drejtpërdrejtë me rivierën shqiptare dhe akses pranë rrugës së re Dhërmi–Palasë. Ajo ka dalje të gjerë në një bregdet shkëmbor të detit Jon dhe përshkruhet si një nga atraksionet më të spikatura turistike të vendit.

Faksimile: Harta e zonës që do të ndërtohet kompleksi i stërmadh i firmës Orion
Faksimile: Harta e zonës që do të ndërtohet kompleksi i stërmadh i firmës Orion

Në dokumente theksohet se territori përfshin një sipërfaqe prej 140,898 m² dhe se, sipas hartimeve, nuk ka objekte me vlerë historike apo kulturore. Përkundrazi, përmendet pasuria natyrore e zonës, biodiversiteti tokësor dhe nënujore, peizazhi i veçantë dhe trashëgimia kulturore përreth — elementë që, paradoksalisht, pranohet se do të ndikohen drejtpërdrejt nga ndërhyrjet masive ndërtimore.

Gjithashtu, në dokumentacion pranohet se zona përballet me problematika si ndërtimet e pakontrolluara, kullotja e bagëtive, specie invasive dhe zjarret. Megjithatë, për ndërtimet informale zakonisht ndërhyjnë IKMT dhe IMT me prishje selektive, duke hapur rrugë për projekte të reja betoni në shkallë të gjerë.

Edi Rama i jep burrit të Alketa Vejsiut leje për të ndërtuar

Faksimile: Dokumentet shoqëruese të lejes, ku do të ndërtohen rezidenca, vila, pallate...
Faksimile: Dokumentet shoqëruese të lejes, ku do të ndërtohen rezidenca, vila, pallate…

Kompleksi parashikon ndarjen e territorit në disa zona funksionale. Në fazën e parë do të ndërtohen vila dhe apartamente rezidenciale, në numër të konsiderueshëm dhe me tipologji të ndryshme. Paralelisht, projekti përfshin edhe ndërtimin e një hoteli luksoz me 5 yje, i konceptuar si resort premium.

Faksimile: Në zonë do të ndërtohet edhe një hotel, sipas maketit më sipër
Faksimile: Në zonë do të ndërtohet edhe një hotel, sipas maketit më sipër

Sipas përshkrimit, hoteli do të synojë turizmin elitar, duke kombinuar arkitekturën moderne me elementë të gurit lokal dhe drurit, ambiente spa, tarraca panoramike dhe hapësira relaksi, në një koncept “luksi të përmbajtur” që synon të krijojë përvoja ekskluzive për vizitorët.

Ndërkohë, të dhënat nga Qendra Kombëtare e Biznesit tregojnë se kompania “Orion” ka publikuar për vitin 2025 bilancet e një viti më parë, ku rezulton një fitim neto prej mbi 68 milionë lekësh, shifër që forcon më tej dyshimet mbi fuqinë financiare dhe përfitimet e vazhdueshme nga projektet shtetërore.

Faksimile: Kompania Orion ka si pronar Ardian Nelon, bashkëshortin e moderatores Alketa Vejsiu
Faksimile: Kompania Orion ka si pronar Ardian Nelon, bashkëshortin e moderatores Alketa Vejsiu