Thellohet paligjshmëria me rastin e ‘Prestige Resort’. Pa asnjë njoftim, IKMT dhe Policia e Shtetit kanë zbarkuar sot në Prestige Resort për të sekuestruar dy godina, pa asnjë vendim gjykate dhe duke vepruar në një ditë pushimi, veprojnë në kundërshtim me çdo procedurë.

Teksa çështja është në gjykatën Administrative, të pranishëm në këtë aksion të paligjshëm janë dhe përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, ndërkohë që pretendohet se këto godina do t’i kalojnë Shërbimit Social.

“Urdhrat që keni marrë janë urdhra të brendshëm. Vendimi thotë; kalim në pronësi të Ministrisë së Shëndetësisë të godinës. Ne s’e kemi humbur posedimin e sendit. Jemi në gjyq. Nëse e vlerësoni se jeni pronarë, atëherë duhet të keni një vendim. Vendimi juaj që kërkoni që të na nxirrni jashtë, është i paligjshëm,”, tha përfaqësuesi ligjor i shoqërisë Hysenbelliu Gruop.

Por vendimi i Ramës vjen pikërisht pak pasi Departamenti i Shtetit kritikoi ashpër sulmin që Rama i bëri më herët resortit ‘Prestige’.

Shembja e ‘Prestige Resort’ ka zënë vend në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për vitin e kaluar. Ky sulm ndaj një biznesi përmendet në raport si një trysni mbi mediat.

“Më 4 dhjetor, Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit prishi një hotel duke përmendur shkelje të rënda të ligjeve të ndërtimit. Në datën 1 dhjetor, kompania e ndërtimit të resortit kishte depozituar një padi në Gjykatën Administrative të Durrësit, duke kërkuar një vendim në pritje të shqyrtimit ligjor të urdhrit të prishjes së IKMT. Gjykata nuk caktoi menjëherë gjyqtarin dhe IKMT vazhdoi me shembjen. Pronari i hotelit, i cili gjithashtu zotëron disa media dhe biznese të tjera, pretendoi se hoteli i tij u shkatërrua për të mbytur kritikat dhe mospajtimet. Qeveria pohoi se veproi në përputhje me ligjet në fuqi dhe se kjo prishje ishte pjesë e një fushate më të gjerë për të çrrënjosur ndërtimet e paligjshme në vend”, thuhet në raport.

“Vazhdon shqetësimi se kritikat e hapura ndaj qeverisë mund të kenë pasoja negative,” thuhet haptas në raport.