Në adresën tonë ka mbërritur një denoncim tronditës nga një qytetar shqiptar që jeton jashtë vendit, i cili është kthyer për festat e fundvitit. Ai ndan me ne një realitet të hidhur: gjendjen e papranueshme të Rrugës së Arbrit, një projekt që dikur u prezantua si “investimi strategjik” që do të lidhte Dibrën me Tiranën dhe do të përmirësonte jetën e qytetarëve të zonës.
Fotoja e dërguar nga qytetari tregon qartë një rrugë të paasfaltuar, me kushte që janë larg standardeve të premtuara. Pamja e automjeteve të bllokuara në radhë të gjata pasqyron dështimin e një projekti që ka konsumuar shuma marramendëse nga buxheti i shtetit.
Në mesazhin e tij, qytetari shprehet:
“Përshëndetje, a e publikoni dot katastrofën në Rrugën e Arbrit, mashtrimet e zonjës Balluku? Vij nga jashtë dhe, për shkak të kësaj rruge, s’na merr malli të vijmë. I shkatërruam makinat.”
Ky mesazh është një dëshmi e zhgënjimit të thellë që ndjejnë emigrantët shqiptarë kur kthehen në atdhe dhe përballen me një realitet që bie ndesh me premtimet pompoze të qeverisë. Investimet e deklaruara për Rrugën e Arbrit, sipas dokumenteve zyrtare, kapin qindra miliona euro. Por rezultati? Një rrugë që nuk garanton as sigurinë më minimale për ata që udhëtojnë.
Premtime të Pambajtura dhe Llogaridhënie e Munguar
Ky denoncim ngre disa pyetje të rëndësishme:
•Ku kanë shkuar të gjitha paratë e shpenzuara?
•Pse ky projekt vazhdon të mbetet një dështim, pavarësisht propagandës?
•Kur do të mbajë përgjegjësi ministrja Belinda Balluku dhe institucionet përkatëse për këtë mashtrim të hapur ndaj qytetarëve?
Rruga e Arbrit u shfaq si një shembull suksesi i qeverisë Rama, por gjendja aktuale e saj përbën një turp kombëtar. Në vend që të sjellë zhvillim, ajo ka kthyer në zhgënjim dhe kosto shtesë për ata që e përdorin.
Ky rast është një tjetër dëshmi se korrupsioni dhe keqmenaxhimi mbeten plagët kryesore të qeverisjes në Shqipëri. Ndërkohë që shqiptarët që jetojnë jashtë kontribuojnë me remitanca për ekonominë e vendit, qeveria u ofron rrugë të paasfaltuara dhe projekte të dështuara.
Qytetarët kërkojnë transparencë, përgjegjësi dhe një Shqipëri që nuk i mban peng. A do të kemi ndonjëherë llogaridhënie të vërtetë? Koha do ta tregojë, por deri atëherë, denoncime si ky na kujtojnë se realiteti është larg propagandës së pushtetit.






