Policia e Vlorës ka identifikuar një nga personat e dyshuar si autorë të dhunimit ndaj avokatit Kujtim Cakran, përfaqësues ligjor i ish-presidentit Ilir Meta. Pas veprimeve hetimore, në kërkim është shpallur 40-vjeçari Skerdilajd Xhindi.

Ngjarja ndodhi në rrugën Transballkanike në Vlorë, ku avokati mbeti i plagosur si pasojë e një sulmi fizik. Sipas burimeve zyrtare, menjëherë pas incidentit janë intensifikuar veprimet hetimore për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave.

Nga puna e specialistëve për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë është bërë i mundur identifikimi i njërit prej të dyshuarve, i cili tashmë është shpallur në kërkim për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, e kryer në bashkëpunim.

Autoritetet bëjnë me dije se vijon puna për lokalizimin dhe arrestimin e 40-vjeçarit, ndërsa hetimet po zhvillohen në bashkëpunim me Prokurorinë për të identifikuar edhe persona të tjerë të përfshirë në ngjarje dhe për t’i vënë përpara përgjegjësisë ligjore.

Ndërkohë, avokati Kujtim Cakran ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe sipas burimeve mjekësore është jashtë rrezikut për jetën.

Hetimet mbeten në vijim për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe zbardhjen e motiveve që çuan në sulmin ndaj avokatit.