Një herë e një kohë, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, mburrej se kishte b*le prej hekuri. Një metaforë e fuqishme, që tregonte “forcën” dhe “kurajën” e tij për t’u përballur me gjithçka. Por, çfarë ndodhi kur SPAK-u troket në derë? A mos vallë ato b*le të  hekurta u kthyen në qelq të hollë?

Historia nis me një episod komik: oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) vizituan shtëpinë e Veliajt dhe zbuluan një kasafortë të mbushur plot me 115 mijë euro në zyrën e bashkëshortes së tij, Ajola Xoxës. Ndërkohë, vëllai i tij, Arbër Veliaj, po “kontrollohej” gjithashtu. Dhe çfarë bën kryebashkiaku i hekurt? Fillon një operacion propagandistik me shpejtësi drite.

“Parashqevia, shpëtimi im”

Në çastin kur situata po i dilte jashtë kontrollit, Veliaj vendosi të “zbulojë” fatin tragjik të këngëtares së njohur Parashqevi Simaku. U shfaq një video e bërë me urdhër të tij, ku Simaku portretizohej si simbol i braktisjes dhe varfërisë. A thua se shqetësimi për fatin e saj kishte nisur dy javë më parë, pikërisht në kohën kur hetimet po i digjnin këmbët Veliajt.

Po çfarë ndodh më pas? Stafi i Veliajt mobilizohet si një skuadër marketingu dhe videoja shpërndahet në çdo cep të mediave dhe rrjeteve sociale. Një strategji e zgjuar: “Nëse të gjithë flasin për Parashqevinë, kush do të kujtojë 115 mijë eurot dhe kasafortat?”

SPAK-u dhe tigri prej letre

Veliaj, që dikur mburrej se kishte SPAK-un nën kontroll, tani nuk guxon të shohë drejt e në sy hetuesit. Mesazhet e tij të dikurshme, ku tregonte “mbretërinë” mbi sistemin e drejtësisë, janë kthyer në kujtime të hidhura. Dita kur BKH i troket te dera është dita kur miti i “b*leve prej hekuri” bie përfundimisht.

Në vend që të përballej si një lider, Veliaj fillon të gjejë justifikime të pashpresa: “Nuk jam unë nën hetim, është Ajola.” Po kur vjen puna te përgjegjësia, Ajola papritur bëhet “më vete” dhe Veliaj mundohet të ruajë maskën e pafajësisë.

Një propagandë që s’fshin dot korrupsionin

Fatkeqësisht, përdorimi i historive tragjike si ajo e Parashqevi Simakut për të hequr vëmendjen nga çështjet madhore është jo vetëm e ulët, por edhe një reflektim i pastër i mënyrës se si Veliaj e sheh qytetin dhe njerëzit: si mjete për propagandë.

Për sa kohë drejtësia nuk do të mbyllë sytë, asnjë histori e manipuluar nuk mund të mbulojë faktet. Dhe për sa kohë Parashqevi Simaku apo qytetarë të tjerë përdoren për të shpëtuar kokën e politikanëve, Veliaj do të mbetet një “lepurush i tredhur,” që mund të trembë veçse veten në pasqyrë.

B*let prej hekuri mund të duken mbresëlënëse, por nën dritën e hetimeve ato rezultojnë të jenë veç një mit. Dhe kur erdhi SPAK-u, Veliaj kuptoi se legjendat urbane nuk mbrojnë dot as kasafortën, as korrupsionin.