Pazaret në Shëndetësi nuk kanë të ndalur
Pas PPP-ve të Dializës dhe Laboratorëve, Ministria e Shëndetësisë ka finalizuar një tjetër kontratë të debatueshme në sektorin e shëndetësisë, kësaj here për furnizimin me reagentë të gjakut. Tenderi, me vlerë 2.2 milionë euro, është ndarë mes dy kompanive koncesionare që prej vitesh janë nën kallëzim penal në SPAK.
Më 26 janar 2026, ministrja e Shëndetësisë Evis Sala dhe drejtoresha e Operatorit të Blerjeve të Përqendruara, Arlinda Pogaj, shpallën fituese kompanitë “Evita” sh.p.k., në pronësi të Klodian Allajbeut, dhe “Pegasus” sh.p.k., e kontrolluar nga biznesmeni grek Janis Karathanos. Kontrata u dha me një vlerë që arrin 99.99 për qind të fondit limit, praktikë e njohur edhe në kontratat koncesionare të mëparshme në shëndetësi.
Të dyja kompanitë janë përfitueset kryesore të PPP-ve të Dializës dhe Laboratorëve, kontrata që kapin vlera qindra milionë euro dhe që prej vitesh janë objekt kallëzimesh në Prokurorinë e Posaçme për dyshime korrupsioni dhe favorizimi në tenderë publikë.
Ndryshe nga procedurat standarde, ku fitues shpallet një operator i vetëm, këtë herë autoritetet vendosën ta ndajnë kontratën mes dy kompanive, duke u akorduar secilës nga 50 për qind e vlerës totale. Burime pranë procesit bëjnë me dije se kjo zgjidhje erdhi pas rivalitetit mes dy koncesionarëve për përfitimin e plotë të tenderit, konflikt që u mbyll me një ndarje të negociuar të fondit.
Vendimi për bashkimin e dy operatorëve në një kontratë të vetme shihet si një tjetër sinjal se praktikat e pazareve në shëndetësi vijojnë, pavarësisht hapjes së negociatave me Bashkimin Europian dhe ekzistencës së hetimeve penale të hapura.
Sipas të dhënave publike, Klodian Allajbeu dhe Janis Karathanos kanë përfituar ndër vite shumicën dërrmuese të tenderëve në sektorin e shëndetësisë, veçanërisht gjatë 12 viteve të qeverisjes socialiste, çka ka ngritur vazhdimisht pikëpyetje mbi konkurrencën reale dhe transparencën e procedurave.
Në qendër të kritikave është edhe lidhja e drejtpërdrejtë mes këtyre biznesmenëve dhe qeverisë. PPP-të e Dializës dhe Laboratorëve janë miratuar me vendime qeveritare dhe mbeten ndër kontratat më të kushtueshme për buxhetin e shtetit. Ndërkohë, lidhjet mes Klodian Allajbeut dhe ministres Evis Sala janë vënë në fokus edhe për faktin se kjo e fundit ka qenë e punësuar si rektore në një universitet privat në pronësi të Spitalit Amerikan, me një pagesë të konsiderueshme mujore.
Pavarësisht kallëzimeve të depozituara prej më shumë se dy vitesh në SPAK për aferat koncesionare dhe tenderët e shëndetësisë, deri më tani nuk ka pasur zhvillime konkrete në drejtim të përgjegjësisë penale. Ndërkohë, fondet publike vijojnë të përqendrohen tek të njëjtët operatorë, përmes kontratave dhe procedurave që vazhdojnë të ngjallin dyshime serioze mbi mënyrën se si administrohet shëndetësia publike në Shqipëri./PAMFLETI







