Mungesa e një pjese të klerikëve myslimanë në iftarin e organizuar nga kryeministri Edi Rama ka hapur debat në opinionin publik, mes spekulimeve për një bojkot të heshtur dhe tensioneve që lidhen me zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe luftën në Gaza.

Në eventin ku morën pjesë diplomatë, politikanë dhe përfaqësues të mediave, u vu re mungesa e një numri të konsiderueshëm imamësh dhe figurash të njohura të komunitetit mysliman. Në këtë kontekst, kleriku Justinian Topulli publikoi një reagim të gjatë ku interpreton këtë mungesë si një mesazh politik dhe moral ndaj kryeministrit. Më poshtë është teksti i korrigjuar i reagimit të tij.

Nga Justinian Topulli

“Marrëdhënieve flirtuese të Edvin Ramës me myslimanët shqiptarë duket se po u vjen fundi.”

Në iftarin që ai shtroi si kryeministër pati një bojkot të gjerë nga hoxhallarët dhe myslimanët praktikantë. Edhe pse Rama i ka dërguar ftesat përmes punonjësve të Bashkisë së Tiranës dhe jo përmes Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ndoshta për të pasur më shumë siguri në pjesëmarrje, në fakt ndodhi e kundërta. Sipas filmimeve dhe informacioneve që qarkullojnë, iftari i tij është bojkotuar në masë nga myslimanët agjërues. Edhe ata pak që ishin të pranishëm, për një pjesë dihet se ndodheshin aty për arsye të detyruara. Si pasojë, Rama u detyrua ta mbushë sallën edhe me persona që nuk agjëronin.

Myslimanët e këtij vendi, sado që deri më sot mund të jenë tërhequr për hundësh – të paktën një pjesë e tyre – duke u joshur nga akrobacitë dhe retorika snobiste e kryeministrit, tashmë e kanë damkosur rëndë atë për shkak të qëndrimeve të tij. Sjelljet e tij në krah të atyre që ai i konsideron aleatë në konfliktin në Lindjen e Mesme kanë krijuar një hendek të thellë me këtë komunitet. Sigurisht që edhe skandalet e korrupsionit në qeverisjen e tij kanë rolin e tyre, si tek të gjithë shqiptarët e tjerë, por qëndrimi i qeverisë së tij ndaj asaj që po ndodh në Gaza – që sipas shumë besimtarëve ka kaluar edhe kufijtë e neutralitetit – ka tronditur rëndë marrëdhënien me myslimanët e këtij vendi.

Ne jemi një komunitet që, edhe pse institucionalisht drejtohet nga njerëz që jo gjithmonë na përfaqësojnë moralisht dhe fetarisht, autoritetin më të lartë e kemi tek fjala e Zotit dhe e Profetit. Interpretimin e tyre Rama nuk ka luksin ta imponojë me injorancën apo keqinterpretimet e tij si profan në çështje fetare.

Braktisja e iftarit të tij zyrtar si kryeministër dhe kritikat ndaj iftarit që ai organizoi si autor i një libri për myslimanët janë një mesazh i qartë: periudhës së afërsisë mes tij, qeverisjes së tij dhe besimtarëve myslimanë duket se po i vjen fundi.

Ne jemi një komunitet që, si çdo shoqëri tjetër, ka gabimet dhe mangësitë e veta. Ka edhe njerëz që janë mashtruar nga retorika dhe hipokrizia e politikës, apo që janë të dobët e oportunistë. Por në thelb, mes nesh ka shumë njerëz të sinqertë dhe me moral. Për këtë arsye, morali nuk mund të bashkëjetojë me amoralitetin e korrupsionit apo me qëndrime që ne i konsiderojmë të padrejta. Këto nuk do të gjejnë kurrë miratim tek besimtarët, përkundrazi.