Me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, policia ka zhvilluar një operacion të gjerë kundër mashtrimeve përmes call center-ave, ku tetë persona kanë përfunduar në pranga. Paralelisht, tre individë të tjerë janë shpallur në kërkim për veprën penale të mashtrimit kompjuterik.
Gjatë aksionit janë ushtruar kontrolle në 28 ambiente të ndryshme, përfshirë banesa, zyra, automjete dhe ambiente ndihmëse, në kuadër të dokumentimit të aktivitetit të paligjshëm.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se çështja u vu në lëvizje më 9 janar, pasi disa gazetarë të emisionit investigativ italian “Le Iene” iu drejtuan Byrosë Kombëtare të Hetimit. Gjatë punës së tyre investigative, ata kishin zbuluar në Tiranë një qendër thirrjesh që mashtronte shtetas italianë dhe europianë, duke i joshur me investime fiktive në kriptomonedha.
Sipas SPAK, grupi funksiononte si një strukturë e mirëorganizuar, me ndarje të qarta rolesh dhe pozicionesh pune, ndërsa operatorët komunikonin me viktimat në disa gjuhë të huaja, përfshirë italishten, frëngjishten, spanjishten dhe gjermanishten.
Hetimet paraprake të BKH-së kanë zbuluar gjithashtu se drejtuesit e kësaj veprimtarie kishin ndërtuar një sistem sigurie të sofistikuar, me kamera vëzhgimi dhe persona civilë të pozicionuar jashtë ambienteve të call center-it për të sinjalizuar çdo lëvizje të dyshimtë.
Falë këtij mekanizmi paralajmërues, ambienti ku zhvillohej aktiviteti kriminal ishte boshatisur gjatë natës dhe aktiviteti ishte zhvendosur në një godinë tjetër. Megjithatë, veprimet hetimore çuan në identifikimin dhe goditjen e plotë të grupit.
Në të njëjtën kohë, emisioni investigativ “Piranjat” ka publikuar pamje dhe fotografi të personave të përfshirë në mashtrimin e qytetarëve italianë.
“Këta janë individët që përmes një call center-i mashtronin shtetas italianë, të goditur nga drejtësia pas një investigimi të përbashkët mes ‘Le Iene’ dhe ‘Piranjat’”, thuhet në reagimin e emisionit në rrjetet sociale.







