Shkëlqim Fusha i firmës FUSHA vazhdon pa u ndalur serinë e tij të fitimit të tenderave të majmë njëri pas tjetrit. Problemi qëndron se këto tendera janë të dyshimtë për mënyrën se si janë dhënë dhe në fund ai që e ha është gjithmonë populli.

Kjo ndodh pasi janë paratë tona ato që shpërdorohen për të bërë qoka në xhepat e oligarkëve, siç është rasti i sotëm. Rezulton se Agjencia Kombëtare e Bregdetit ka hapur një tender që mban numrin e referencës REF-62807-03-17-2023 dhe ka si objekt “Loti 1 – Shërbimi i Pastrimit të Zonës Bregdetare për Bashkitë Durrës, Kavajë, Rrogozhinë”.

Fondi limit i kësaj procedure është 91,483,578 lekë të reja pa TVSH ose rreth 1 miliardë lekë të vjetra përfshirë TVSH. Le të shikojmë dokumentacionin e këtij tenderi. Vihet re se FUSHA ka marrë pjesë në garë së bashku me “krokodilin” tjetër të tenderave të pastrimit, “ALKO-IMPEX CONSTRUCTION” në pronësi të nipit të Sadri Abazit, ish deputet socialist.

Bashkimi i këtyre dy operatorëve ka ofruar një vlerë prej 88,588,414 lekë të reja pa TVSH ose rreth 1 miliardë lekë të vjetra me TVSH. Por ndërkohë në tender ka marrë pjesë edhe një firmë tjetër e cila ndonëse ka dhënë vlerë më të vogël, është skualifikuar.

Përtej kësaj, nëse bëjmë krahasimin mes vlerës së ofruar nga FUSHA dhe ALKO-IMPEX CONSTRUCTION me fondin limit të tenderit, vihet re se janë thuajse identike. Më konkretisht vlera e cila është shpallur edhe fituese, rezulton të jetë sa 97% e fondit limit. Në këtë mënyrë krijohen dyshime të forta se kemi të bëjmë me fitues të paracaktuar.
Njoftimi i shpalljes së fituesit të pastrimit të zonave të plazheve, loti I
Sipas dokumentit të mësipërm, Agjencia e Bregdetit ka njoftuar dy firmat “Fusha” dhe “Alko Impex” se u shpallën fituese si një e vetme e tenderit me objekt “shërbimi i pastrimit të zonës bregdetare për bashkitë Durrës, Kavajë, Rrogozhinë”, tender i cili ka pasur një fond limit 91.483.578 lekë pa TVSH, me afat shërbimi 15 qershor – 15 shtator 2023. “Me anë të këtij njoftimi ju informojmë se, në këtë procedurë kanë marrë pjesë ‘REJ’ me vlerë 87.787.350 lekë pa TVSH dhe 105.344.820 lekë me TVSH. BOE ‘FUSHA’ dhe ‘ALKO-IMPEX’ me vlerë 88.588.414 lekë pa TVSH dhe 106.306.097 lekë me TVSH” thuhet në këto dokumente. Por, nga pjesëmarrësit janë skualifikuar “REJ”, pasi nuk ka deklaruar në fushat përkatësë gjëndjen e subjektit si dhe nuk është vendosur adresa përkatëse ku gjënden baza e të dhënave për subjektin. “Për administratorin Luan Kapri nuk ka deklaruar gjendjen gjyqësore të tij. Nuk ka deklaruar numrin e kërkuar të shoferëve për kryerjen e shërbimeve. Nga numri në total prej 27 punonjës shofer të kërkuar në DST, OE ka deklaruar vetëm 26 punonjës shofer. Gjithashtu nuk janë deklaruar ashtu siç kërkohet në DST punonjësit shoferë të specifikuar, konkretisht shoferë për makina teknologjike dhe shoferë për makinat e larjes së kontenierëve” thuhet në këto dokumente.



Ndërkohë, në të njëjtën kohë, Agjencia Kombëtare e Bregdetit ka shpallur fituesin e lotit II të tenderit të pastrimit të plazheve. Është i njëjti skenar, ku firmat “Alko Impex” dhe “Fusha” garuan si një e vetme. Sipas dokumentit të mësipërm, në procedurë mori pjesë “PASTRIME SILVIO” me vlerë 78.836.918 lekë me TVSH dhe BOE “ALKO IMPEX” dhe “FUSHA” me vlerë 83.364.653 lekë me TVSH. Ashtu si në tenderin e parë, firma që ofroi më pak, “PASTRIME SILVIO” u skualifikua se nuk përmbushte kushtet, pasi s’kishte deklaruar emrat përkatës të stafit inxhinierik të kërkuar si inxhinier mjedisi, inxhinier mekanik. Në fund, Lako ia ka “dhuruar” sërish edhe këtë tender oligarkëve “Fusha” dhe “Alko Impex”.

Por çfarë territoresh do pastrohen? Në të dy lotet parashikohet se do të pastrohet bregdeti i Durrësit, Kavajës, Rrogozhinës, Vlorës, Himarës dhe Sarandës. Në dokumentet shoqëruese janë edhe hartat me zonat që do pastrohen, kur përfshihen edhe fshatrat turistikë në Gjirin e Lalzit. Të gjithë e dinë se kush politikan jeton aktualisht në atë zonë. Se kush biznesmen, prokuror, gjyqtar apo drejtor. Apo se kush ka lokale dhe hotele. Në hartë parashikohet se përveç plazhit do pastrohet edhe zona e vilave private. Goxha biznes.






