Qiellgërvishtës dhe reklama

Dy agjenci marketingu dhe një biznesmen, mbështetës i Partisë Socialiste – i cili mori një leje ndërtimi për tre kulla në zemër të Tiranës, janë fijet lidhëse pas një fushate reklamash online dhe ‘Turit të Diasporës’ të Partisë Socialiste.

Në një pasdite të ftohtë janari, Aldo* – një emigrant shqiptar 37-vjeçar me banim në veri të Italisë po shfletonte Instagramin. Mes fotove të skuadrës së tij të zemrës, “AC Milan” dhe postimeve të familjarëve dhe miqve nga Shqipëria, një reklamë i tërhoqi vëmendjen. E shkruar në shqip, me gjuhë të thjeshtë dhe tone emocionale, reklama ishte një thirrje për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit si ai: “Platforma juaj për lidhjen me Shqipërinë! Ekipi ynë është këtu për të ndihmuar shqiptarët e diasporës të kontribuojnë dhe të qëndrojnë të lidhur me vendlindjen.”

Reklama lidhej me një faqe në Facebook që ofronte ndihmë praktike për shqiptarët e diasporës që dëshirojnë të regjistrohen për të votuar për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ajo i ftonte emigrantët të plotësojnë një formular, duke kërkuar detaje personale si emrin e plotë, adresën e emailit, numrin e telefonit dhe qytetin ku ishin të regjistruar në Shqipëri. Mesazhi përfundonte me një shënim patriotik: “Mbështetja juaj për një Shqipëri më të mirë fillon këtu!”

Fillimisht, Aldo thotë se reklama iu duk e padëmshme – një përpjekje për të angazhuar diasporën në zgjedhje. Por kërkesa për të ndarë të dhënat personale e bëri të dyshonte. Reklama nuk e specifikonte saktësisht se kush e ofronte ndihmën, ndërsa lidhja të çonte në një faqe Facebook-u të quajtur “Diaspora Fier”, për të cilën ai nuk kishte dëgjuar më parë. Faqja nuk kishte postime dhe as informacion se kush e kishte krijuar dhe se kush qëndronte pas saj.

“Postimi kërkonte të vendoste një kontakt me emigrantët për të orientuar votën,” tha Aldo, në një intervistë përmes aplikacionit Zoom. “Nuk kishte transparencë dhe kërkesa për të dhënat personale përbën shkelje të GDPR-së,” shtoi ai, duke iu referuar direktivës së BE-së për mbrojtjen e të dhënave personale.

Reklama e ‘Diaspora Fier’ është pjesë e një fushate të gjerë marketingu elektoral online që ka në qendër të saj votuesit shqiptarë të diasporës. Sipas të dhënave të Meta – kompania mëmë e platformës Facebook dhe Instagram – qindra mijëra përdorues me banim në Itali janë shënjestruar që nga fillimi i janarit me reklama të ngjashme nga të paktën pesë faqe në Facebook dhe Instagram, duke i ofruar asistencë për t’u regjistruar si votues në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Të dhënat e mbledhura nga BIRN tregojnë se pas kësaj fushate qëndrojnë të paktën dy kompani marketingu, ‘Cambria Marketing Srl’ dhe ‘1001 Solutions’ si dhe një portal lajmesh – të cilat kanë lidhje të shumëfishta me biznesmenin Ylli Ujka, organizator i një tubimi të madh për Partinë Socialiste në , në provincën e Varezes, më 24 maj 2024.

Pas tubimit, ku mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama dhe u transmetua live nga platforma qeveritare në Facebook, një nga kompanitë e Ujkës mori një leje për ndërtimin e dy kullave dhe një hoteli shumëkatësh në qendër të Tiranës.