Shqipërisë i duhet qeveri e përgjegjshme për të çuar përpara integrimin në B

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar nga Berlini, ku po zhvillon një seri takimesh zyrtare në krye të delegacionit të opozitës shqiptare, së bashku me deputetët Jorida Tabaku dhe Klevis Balliu.

Përmes një deklarate publike, Bardhi bëri të ditur se axhenda e delegacionit në Gjermani përfshin takime me raportuesin për Shqipërinë në Bundestag, me drejtues të komisioneve parlamentare për çështjet europiane dhe të jashtme, si edhe me përfaqësues të qeverisë federale gjermane, përfshirë Ministrinë e Jashtme dhe Ministrin e Shtetit për Çështjet Europiane.

Sipas Bardhit, opozita shqiptare po gjen në Berlin një dëgjim me respekt dhe vëmendje, në një kohë kur, sipas tij, në Shqipëri përjashtohet nga një shumicë që kontrollon institucionet.

Ai theksoi se vendi ka nevojë për një qeveri të përgjegjshme që garanton standardet europiane jo vetëm në deklarata, por në veprime konkrete. Bardhi akuzoi Partinë Socialiste se, përmes veprimeve të saj, po pengon drejtësinë dhe po mbron zyrtarë të lartë të përfshirë në korrupsion, duke dëmtuar drejtpërdrejt procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Në deklaratën e tij, Bardhi nënvizoi se Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, si kusht për krijimin e një qeverie që punon për interesin publik, për standardet europiane dhe për avancimin real të vendit drejt Bashkimit Europian.

Në fund, ai shprehu mirënjohje për autoritetet dhe kolegët gjermanë për pritjen dhe diskutimet e zhvilluara gjatë vizitës në Berlin, duke uruar që procesi i integrimit të Shqipërisë të ecë përpara me një qeveri që, sipas tij, i shërben qytetarëve dhe interesit publik.­