Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur fajtor Astrit Avdylin, i njohur edhe me mbiemrat Balliu dhe Sulejmani, duke e dënuar përfundimisht me 12 vite burgim për disa vepra të rënda penale në kuadër të dosjes së njohur “Volvo 4”.

Avdyli, i konsideruar nga hetuesit si një nga figurat kryesore të një organizate kriminale të përfshirë në narkotrafik dhe veprimtari të tjera të paligjshme në zonën e Shijakut, u dënua në bashkim dënimesh pas përfundimit të procesit gjyqësor në GJKKO.

Vendimi u dha nga trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtaret Flojera Davidhi, Rudina Palloj dhe Elsa Ulliri, të cilat pranuan pretencën e SPAK për dënimin e të pandehurit.

Sipas vendimit, Avdyli u shpall fajtor për trafikim narkotikësh në kuadër të një organizate kriminale dhe u dënua me 12 vite burgim për këtë vepër. Po ashtu, gjykata e dënoi me 3 vite burg për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe me 5 vite për mbajtje pa leje dhe prodhim armësh e municionesh.

Në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal për bashkimin e dënimeve, gjykata vendosi dënimin përfundimtar me 12 vite burg, i cili do të vuhet në një institucion të sigurisë së lartë. Vuajtja e dënimit nis nga data e arrestimit të tij.

Avdyli u arrestua më 29 qershor 2024 me urdhër të SPAK, pas hetimeve të zhvilluara në kuadër të dosjes 339 dhe zbërthimit të komunikimeve në aplikacionin e koduar “Sky ECC”. Hetimet lidhen edhe me laboratorin e drogës të zbuluar vite më parë në Has.

Gjykata vendosi gjithashtu që prova materiale e sekuestruar, një armë zjarri pistoletë, të kalojë në favor të shtetit. Shpenzimet gjyqësore iu ngarkuan të pandehurit.

Vendimi i GJKKO-së mund të ankimohet në Gjykatën e Posaçme të Apelit brenda 15 ditëve nga komunikimi i vendimit të arsyetuar. Ndërkohë, ndaj Avdylit vijojnë edhe hetime të tjera nga Prokuroria e Posaçme për çështje të ndryshme penale.

Dënimi konsiderohet një nga vendimet më të rëndësishme të fundit në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të narkotikëve, ndërsa dosja “Volvo 4” mbetet një nga hetimet më të gjera të SPAK ndaj grupeve kriminale në vend.

Vendimi i plotë i GJKKO-së:

“1-Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurit Astrit Balliu (alias Avdyli, alias Sulejmani)”.

  1. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të zakonshëm. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtaret Flojera Davidhi, Rudina Palloj dhe Elsa Ulliri, me vendimin 13, datë 11.02.2026 vendosi:
  2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Astrit Balliu (alias Avdyli, alias Sulejmani), për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a, paragrafi parë, 28/4 dhe në lidhje me nenin 334, paragrafi parë të K.Penal dhe dënimin e tij me 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim.
  3. Deklarimin fajtor të të pandehurit Astrit Balliu (alias Avdyli, alias Sulejmani), për kryerjen e veprës penale “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e pjesëmarrjes, parashikuar nga neni 333/a, paragrafi dytë, të K.Penal, dhe dënimin e tij me 3 (tre) vite burgim.
  4. Deklarimin fajtor të të pandehurit Astrit Balliu (alias Avdyli, alias Sulejmani), për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278/1 të K.Penal dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim. 
  5. Deklarimin fajtor të të pandehurit Astrit Balliu (alias Avdyli, alias Sulejmani), për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278/1 të K.Penal dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim.
  6. Në bashkim të dënimeve, sipas nenit 55 të Kodit Penal, dënimin e të pandehurit Astrit Balliu (alias Avdyli alias Sulejmani), përfundimisht me 12 (dymbëdhjetë) vite burgim.
  7. Vuajtja e dënimit për të pandehurin Astrit Balliu (alias Avdyli, alias Sulejmani), të fillojë nga dita e arrestimit të tij, dhe të kryhet në një burg të sigurisë së lartë. 6. Bazuar në nenin 190, pika 1, shkronja “a” të K.Pr.Penale, në lidhje edhe me nenin 36, pika 1, shkronja “a” të K.Penal, prova materiale e sekuestruar, arma pistoletë, me mbishkrimin ËALTER-P.P.Q-Made in Germany, me numër ****, të kalojë në favor të shtetit”.
  8. Në mbështetje të nenit 485/3 të K.Pr.Penale, shpenzimet hetimore gjatë fazës së hetimeve paraprake në raport me të bashkëpandehurit e tjerë, ndërsa ato gjyqësore i ngarkohen të pandehurit. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit gjyqësor të arsyetuar. Tiranë, më datë 11.02.2026.Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”.

vendimi gjkko astrit avdyli

vendimi avdyli