Gjykata refuzon sekuestrimin e 20 pasurive të Kristjan Boçit dhe mikut të Veliajt, Elman Abule

Gjykata e Tiranës refuzon sekuestrimin e 20 pasurive me vlerë rreth 50 milionë euro, të dyshuara me origjinë kriminale

Gjykata e Tiranës ka vendosur të mos pranojë kërkesën e prokurorisë për sekuestrimin e rreth 20 pasurive – shoqëri tregtare, apartamente, vila dhe njësi biznesi – me vlerë të përllogaritur rreth 50 milionë euro, për të cilat policia dhe prokuroria e kryeqytetit kishin ngritur indicie të forta se rrjedhin nga aktivitet kriminal.

Sipas burimeve hetimore, në qendër të çështjes ndodhet Elman Abule, i cilësuar si mik i afërt i Erion Veliaj. Abule rezulton i dënuar në Belgjikë për vjedhje të dhunshme. Të dhënat e administruara nga Interpol tregojnë se më 12 shtator 2023 autoritetet shqiptare janë informuar se Abule është dënuar më 17 janar 2007 nga Gjykata e Antverpit me 30 muaj burg për veprat penale “vjedhje me thyerje ose duke përdorur çelësa të kopjuar” dhe “krijim bande”, duke përfshirë dënim me kusht dhe dënim efektiv.

Në dosje përmendet gjithashtu Kristian Boçi, ish-ortak i Abules në subjektin “Rametal” dhe shoqërinë “Ferro Chrome Holding”. Boçi rezulton i arrestuar në Itali në vitin 2011 dhe i lidhur me persona të përfshirë në veprimtari të paligjshme, përfshirë emra të njohur të trafikut ndërkombëtar të narkotikëve. Mes personave të tjerë të përfshirë në hetim përmendet edhe Vladimir Avrami, si dhe katër shtetas të tjerë të lidhur me ta.

Vendimi për mospranimin e kërkesës së prokurorisë është dhënë pak ditë më parë nga gjyqtari Altin Abdiu, i cili në fillim të qershorit 2025 u rikthye në detyrë pas një vendimi të Komisionit të Posaçëm të Apelimit. Abdiu refuzoi sekuestrimin e 20 pasurive, duke liruar të gjitha pronat e subjekteve të hetuara.

Kjo çështje ka pasur një histori të ndërlikuar procedurale. Në qershor 2024, e njëjta Gjykata e Tiranës, por me trup tjetër gjykues, pranoi kërkesën e prokurorisë dhe urdhëroi sekuestrimin e pasurive. Në atë vendim, gjykata arsyetonte se:

“[…] në kuadër të veprimtarisë së tij të paligjshme, Elman Abule ka themeluar një sërë shoqërish tregtare për të maskuar aktivitetet kriminale, duke krijuar, së bashku me persona të tjerë, një skemë të mirëfilltë të pastrimit të produkteve të veprës penale.”

Megjithatë, në korrik 2024, Gjykata e Apelit e Tiranës e prishi vendimin e sekuestrimit dhe e ktheu çështjen për rishqyrtim në shkallë të parë me trup tjetër gjykues. Shkak u bë, sipas Apelit, qëndrimi i mbajtur në seancë nga prokurorja Arta Marku, e cila deklaroi se vendimi i shkallës së parë ishte i paarsyetuar dhe konfondonte Ligjin Antimafia me Kodin e Procedurës Penale.

Palët e përfshira – si prokuroria, ashtu edhe personat nën hetim për pastrim parash, kontrabandë mallrash dhe evazion fiskal – paraqitën rekurs në Gjykata e Lartë. Pas shqyrtimit, Gjykata e Lartë la në fuqi vendimin e Apelit për rishqyrtimin nga e para të kërkesës së prokurorisë.

Pas shortit, çështja i kaloi për shqyrtim gjyqtarit Altin Abdiu, i cili tani ka vendosur mospranimin e kërkesës së sekuestrimit dhe lirimin e të gjitha pasurive.

Pavarësisht këtij vendimi, pritet që prokuroria e Tiranës ta apelojë sërish çështjen. Hetimi penal ndërkohë vijon, pasi prokuroria ndodhet në fazën e ekspertimit financiar për të përcaktuar nëse pasuritë e krijuara nga personat e proceduar kanë burim të ligjshëm apo jo.