Ekstaza e Blendi Gonxhjes në mes të krizës politike
Ministri i Kulturës, Turizmit dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga një festë fundviti me stafin e ministrisë, ku vihet re një atmosferë e theksuar euforie, performanca artistike dhe balerina, në një skenografi që ngjan më shumë me event promocional sesa me një aktivitet të brendshëm institucional.
Pamjet kanë shkaktuar reagime të forta për shkak të kontrastit të thellë me realitetin politik dhe institucional të vendit. Qeveria e drejtuar nga Edi Rama ndodhet në një nga momentet më të vështira të viteve të fundit, nën presion të drejtpërdrejtë nga SPAK, ndërsa disa anëtarë të kabinetit janë nën hetim ose përballë procedurave penale.
Në të njëjtën kohë, shërbimet digjitale shtetërore janë thuajse të paralizuara, duke prekur drejtpërdrejt qytetarët dhe bizneset, ndërsa opozita ka dalë në rrugë duke e konsideruar situatën si një krizë të thellë funksionimi të shtetit. Pikërisht në këtë sfond, festimet luksoze të Ministria e Kulturës kanë ngritur pikëpyetje serioze.
Një nga çështjet kryesore që ngrihen lidhet me vetë natyrën e aktivitetit: nëse bëhet fjalë për një festë për stafin, pse paraqitet me elementë skenikë, balerina dhe estetikë që i ngjan një katalogu apo shfaqjeje të mirëfilltë artistike?
Po aq e rëndësishme është edhe pyetja mbi financimin e këtij eventi. Nga cili zë buxhetor janë mbuluar shpenzimet? A janë përdorur fonde publike dhe, nëse po, nën çfarë justifikimi ligjor është organizuar një aktivitet i tillë në një moment krize të thellë institucionale?
Kjo lloj “ekstaze festive”, sipas kritikëve, nuk është parë më herët nga asnjë ministër tjetër në rrethana të ngjashme ndoshta për inat të Ballukut si kundërshtare po mbi të gjitha si shkëputje totale nga realiteti me të cilin përballen qytetarët.






