Policia ka arrestuar personin që dyshohet se kreu grabitjen e një pike këmbimi valutor mëngjesin e së enjtes në zonën e Rruga 5 MajiTiranë.

Ngjarja ndodhi në një pikë exchange që funksionon brenda një qendre tregtare në këtë zonë. Sipas burimeve policore, autori hyri në ambientet e biznesit dhe, duke kërcënuar punonjësin me armë zjarri, kërkoi dorëzimin e parave që ndodheshin në arkë.

Nga të dhënat paraprake, ai dyshohet se mori rreth 1.2 milionë lekë të vjetra dhe u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes.

Hetimet kanë zbuluar se i riu kishte mbërritur pranë qendrës tregtare me një motor të vogël pa targa. Pas grabitjes ai u largua fillimisht në këmbë në rrugicat e lagjes “5 Maji”, duke shfrytëzuar lëvizjen në zonë për të shmangur ndjekjen.

Policia arriti ta identifikojë dhe ta kapë autorin pasi siguroi një foto nga momenti i grabitjes, e cila ndihmoi në gjurmimin e tij.

Sipas dyshimeve të para, personi i arrestuar mund të jetë përdorues i lëndëve narkotike, ndërsa hetuesit po verifikojnë gjithashtu nëse arma e përdorur gjatë grabitjes ishte e vërtetë apo imitim.

Menjëherë pas ngjarjes, forca të shumta policie mbërritën në zonë dhe ngritën pika kontrolli për kapjen e autorit, duke bërë të mundur arrestimin e tij brenda një kohe të shkurtër.