Situata e mbetjeve urbane në Bashkinë Tepelenë është përkeqësuar ndjeshëm, ndërsa çdo ditë depozitohen rreth 8 ton mbeturina në vendgrumbullimin ekzistues, duke krijuar një problem serioz për zonën përreth.

Sipas raportimeve nga terreni, mbetjet kanë avancuar deri pranë nënstacionit elektrik, duke rritur rrezikun për sigurinë dhe duke përkeqësuar ndotjen mjedisore. Banorët dhe vëzhguesit lokalë e cilësojnë situatën alarmante, ndërsa theksojnë se kjo problematikë vazhdon prej kohësh pa një zgjidhje konkrete.

Ndërkohë, drejtimi vendor përballet me kritika për mungesë reagimi. Kryebashkiaku i Tepelenës, Gramos Sako, akuzohet se nuk ka ndërhyrë në mënyrë efektive për të frenuar përkeqësimin e situatës, pavarësisht se problematika është bërë gjithnjë e më e theksuar.

Nga ana tjetër, Bashkia Tepelenë bën me dije se është siguruar financim, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe donatorë ndërkombëtarë, për përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve në kuadër të Parkut Kombëtar të Vjosës dhe programit të UNESCO-s “Njeriu dhe Biosfera”.

Sipas bashkisë, projekti parashikon mbylljen e venddepozitimit aktual dhe ndërtimin e një stacioni transferimi, i cili do të mundësojë transportimin e mbetjeve drejt Bajkajt, në përputhje me standardet mjedisore.

Megjithatë, deri në zbatimin e këtyre masave, situata në terren mbetet shqetësuese, duke ngritur pikëpyetje mbi ndërhyrjet urgjente dhe përgjegjësinë institucionale.