Naim Noka

Mbrëmja në studion e Top Story nuk ishte thjesht një debat televiziv. Ishte një performancë e strukturuar me kujdes, ku narrativa e mbrojtjes për Ergys Agasin u shpalos me koherencë të admirueshme.

Ndaj Agasit, SPAK ka lëshuar urdhër arresti, nën dyshimin për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal në dosjen e AKSHI-t. Por në vend që të diskutohej thelbi i akuzës, struktura, rolet, ndikimi në tendera, zinxhiri i vendimmarrjes – debati u zhvendos në një terren teknik: kompetencë, procedurë, interpretim sekondash filmimi.

Nën drejtimin e Grida Duma, avokati Maks Haxhia dhe eksperti multifunksional, pedagogu Ervin Karamuço ndërtuan një tezë të qartë: nëse rrëzohet elementi i “grupit të strukturuar kriminal”, atëherë bie kompetenca e SPAK dhe çështja kalon në juridiksion të zakonshëm. Pra, jo debat mbi faktet, por mbi kornizën juridike.

Avokati Haxhia argumentoi se takimet nuk janë vepër penale dhe se fragmentet filmike nuk provojnë fajësi. Karamuço kërkoi ekspertizë të plotë para arrestimit dhe ngriti pikëpyetje mbi efektivitetin e hetimit. Teknikisht, çdo avokat ka të drejtë të mbrojë klientin. Çdo analist ka të drejtë të dyshojë mbi provat.

Por pyetja që mbeti pezull nuk ishte juridike. Ishte logjike.

Nëse, sipas vetë mbrojtjes, Agasi nuk ka kompani në fushën e AKSHI-t, nuk ka marrë pjesë në tendera dhe nuk ka rol formal në vendimmarrje, atëherë pse nuk u paraqit në SPAK për të dhënë shpjegime? Pse nuk u kthye në Shqipëri, kur u deklarua publikisht se kishte shkuar vetëm për të firmosur një kontratë dhe do të rikthehej?

Kjo është pika ku narrativa televizive nuk dha përgjigje. Në dosjen e SPAK, Ergys Agasi ka video kompromentuese me shefen e shërbimit sekret, ish-drejtoreshën e AKSHI-t, ish-drejtoreshën e Kadastrës, me drejtorë policie dhe gjyqtarë. Madje nga zyra e Gysit në ish-Bllok janë kualifikuar edhe prokurorë e gjyqtarë nga vetingu. Janë tjetërsuar qindra ha tokë në Bredet dhe jo vetëm. Zv/kryeministri de facto Agasi, në një prej festave më të zjarrta në resortin e tij në periferi të Tiranës, festoi rrumbullakosjen e shifrës 100 milionë euro cash. E pra, me kaq lekë Gysi blen të gjitha banakët mediatikë të qeverisë. Jo më gjithologët, të neveriturit analistë e “psikolistë”.

Në vend të sqarimit për mungesën e tij, publiku mori një dekonstruksion procedural të akuzës. Një zhvendosje e vëmendjes nga “çfarë ka ndodhur?” tek “a e ka SPAK kompetencën?”. Nga “a ekziston grupi?” tek “a është i strukturuar Ergys Agasi sipas nenit përkatës?”.

Në analizë komunikimi, kjo quhet përmjerje mediatike për të mbrojtur reputacionin e “ish-zv/kryeministrit” de facto Ergys Agasi, i cili për turpin tonë talli trapin me thuajse të gjithë institucionet e këtij vendi.

Jemi mësuar me “studiot kombëtare” që shndërrohen në zgjatime të strategjisë së mbrojtjes së Gysërve, Troplinëve dhe Çelëve.

SPAK do ta provojë ose jo në gjykatë ekzistencën e grupit të strukturuar kriminal të Ergys Agasit. Aty do të peshohen provat, jo në prime time.

Por një gjë mbetet e qartë: nëse dikush është i pafajshëm, mënyra më e fortë për ta dëshmuar nuk është debati televiziv. Është paraqitja përballë drejtësisë.

Deri atëherë, çdo mbrëmje mediatike mbetet vetëm një skenë. Dhe çdo skenë ka regjisorin e vet. Mos harrojmë: me 100 milionë eurot cash, Gysi nuk e ka për gjë ca thërrime për banakët e propagandës. Fundja, lekë nga taksat e këtij populli të varfër janë…