Kreshnik Çollaku
(Një rrëfim si dëshmitar)
Në Dhjetorin e madh të studentëve në 1990, Shqipëria nuk kërkonte vetëm pluralizëm politik. Shqipëria kërkonte të rikthehej tek vetja, tek identiteti i saj evropian dhe kombëtar.
Ne ishim studentë të rinj, një brez që kërkonte liri pas dekadash izolimi e diktature. Në ato protesta nuk kishte ende një simbol të vetëm. Disa ngrinin grushtin, disa duart lart, dhe një grup, me qendër dy gishtat lart… secili shprehte revoltën dhe shpresën në mënyrën e vet.
Por ajo lëvizje mori një frymë më të madhe historike kur për herë të parë në një tubim publik në Shqipërinë komuniste u fol hapur për Kosovën. Dhe ai që e bëri këtë ishte Sali Berisha.
Duhet kuptuar pesha e atij momenti. Regjimi komunist e kishte mbajtur Kosovën tabu. Flitej me frikë, me kode ose nuk flitej fare. Ndërsa në mesin e studentëve, në zemër të protestës antikomuniste, Sali Berisha foli për Kosovën, për historinë e saj, për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës dhe për fatin e tyre.
Ishte një akt politik dhe kombëtar me një ndikim të jashtëzakonshëm emocional te studentët.
Dhe pak më vonë ndodhi momenti simbolik që hyri në histori.
Në takimin e famshëm të studentëve me Ramiz Alinë, të transmetuar drejtpërdrejt dhe të ndjekur nga mijëra studentë në Qytetin Studenti, Ramiz Alia, me një ton ironik e përçmues, u tha studentëve: ”Mos i ngrini edhe ato dy gishta lart, se na ngatërroni kot me atë Rugovën në Kosovë.”
Por pikërisht aty ndodhi e kundërta e asaj që ai synonte. Në çastin që e tha atë fjali, mijëra studentë ngritën dy gishtat lart. Instinktivisht. Si sfidë ndaj regjimit. Si solidaritet me Kosovën. Si identifikim me Ibrahim Rugovën dhe me frymën e rezistencës demokratike që po lindte në Kosovë.
Nga ai moment, dy gishtat mbetën simboli i Partisë Demokratike në Shqipëri. Por në themel të atij simboli ishte Rugova, ishte rugovizmi dhe ishte lëvizja që ai kishte krijuar si e para forcë antikomuniste në Ballkan, Lidhja Demokratike e Kosovës. Ishte filozofia e rezistencës paqësore, orientimit perëndimor dhe identitetit evropian të shqiptarëve.
Në fakt, Rugova dhe LDK-ja e tij frymëzuan lindjen e së djathtës moderne shqiptare. Frymëzuan një brez studentësh në Tiranë që kërkonin pluralizëm, demokraci dhe lidhje me Perëndimin.
Dhe në anën tjetër, lëvizja demokratike në Shqipëri krijoi një aleat natyral për Kosovën.
Kështu u krijua një bosht historik e politik mes Tiranës dhe Prishtinës. Një e djathtë shqiptare moderne, properëndimore dhe thellësisht proamerikane. Një filozofi politike që më pas do të shndërrohej në orientimin strategjik të shqiptarëve: anëtarësimin në NATO, aleancën me Shtetet e Bashkuara, mbështetjen për lirinë e Kosovës dhe më pas pavarësinë e saj.
Prandaj, historia e dy gishtave nuk është thjesht historia e një simboli partie. Është historia e lidhjes së lëvizjes demokratike shqiptare me Kosovën. Është historia e frymëzimit që Tirana demokratike mori nga Rugova dhe Kosova.
Dhe është historia e krijimit të një vizioni politik shqiptar, evropian dhe perëndimor që ndryshoi fatin e kombit shqiptar në Ballkan.






