Gjendja e higjienës në urgjencën e Spitalit Rajonal të Korçës vijon të mbetet shqetësuese dhe larg çdo standardi minimal shëndetësor. Edhe pse problematika është denoncuar më herët publikisht, situata nuk ka pësuar asnjë përmirësim dhe mungesa e ndërhyrjes mbetet evidente.
Pamjet më të fundit të siguruara nga ambientet e urgjencës tregojnë qartë një realitet alarmues: çarçafë të ndotur me gjurmë gjaku, mure të papastruara ku dallohen mbetje të vjellash, si dhe mungesë totale e dezinfektimit pas trajtimit të pacientëve. Këto kushte jo vetëm që cenojnë dinjitetin e pacientëve, por përbëjnë edhe një rrezik serioz për përhapjen e infeksioneve.

Qytetarët që drejtohen drejt urgjencës për ndihmë mjekësore përballen me frikën se, përveç problemit shëndetësor fillestar, mund të ekspozohen ndaj infeksioneve të reja, duke rritur ndjeshëm rrezikun për komplikacione të mëtejshme.

Mungesa e reagimit nga institucionet përgjegjëse ngre pikëpyetje të forta mbi sigurinë dhe cilësinë e shërbimit shëndetësor që u ofrohet pacientëve në një nga repartet më kritike të spitalit.







